Prokuroria e Specializuar në Hagë vazhdon intervistimin e Thaçit

Për të katërtën ditë me radhë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të merret në pyetje nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar në Hagë.

Marketing

Thaçi është ftuar atje pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar muajin e kaluar se, më 24 prill, ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër tij, kundër kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

Thaçi është deklaruar për media vetëm të hënën, ditën e parë të intervistimit, kur ka thënë se me prokurorët është diskutuar për disa “çështje sqaruese, teknike” dhe për interesimin e tyre për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Gjatë tre ditëve të kaluara, intervistimi i tij ka zgjatur nga gjashtë orë.

Sipas rregullores, aktakuza e paraqitur ka kaluar tani në duart e gjykatësit të procedurës paraprake, i cili ka gjashtë muaj kohë – nga muaji prill – për ta vërtetuar ose hedhur poshtë atë.

Thaçi ka paralajmëruar se do të japë dorëheqje nga pozita e presidentit nëse aktakuza e tij konfirmohet.

Paraqitjen e tij në Hagë e ka cilësuar si “çmim për lirinë”.