BE-ja do të ndihmojë RMV-në me 80 milionë euro në luftën kundër Covid-19

Komisioni Evropian sot nënshkruajti një Memorandum për mirëkuptim me Maqedoninë e Veriut në mënyrë që të hapë rrugën për pagesën e ndihmës makro-financiare prej 80 milion eurosh.

Marketing

Ky është memorandumi i parë i mirëkuptimit, i nënshkruar si pjesë e një pakete 3 miliardë eurosh të propozuar nga Komisioni për dhjetë vendet partnere të saj, fqinjët por edhe kandidatët në procesin e zgjerimit, të gjitha me qëllim të daljes nga kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

Siç informojnë nga Komisioni Evropian, këto fonde do të jenë në dispozicion në formën e kredive afatgjata me kushte shumë të favorshme.

“Fondet do të kontribuojnë në përmirësimin e stabilitetit makroekonomik dhe krijimin e hapësirës për shpërndarjen e burimeve për t’i zbutur pasojat serioze negative socio-ekonomike të pandemisë së koronavirusit”, informon KE.

Programi për Maqedoninë e Veriut është me vlerë prej 160 milion eurosh.

“Sot nënshkruam një Memorandum për mirëkuptim me Maqedoninë e Veriut, duke e hapur rrugën për pagesën e ndihmës financiare prej 80 milion eurosh”, theksoi Komisionari i Ekonomisë, Paolo Xhentiloni.

Vendimi për të ofruar ndihmë makro-financiare për dhjetë vendet në kontekstin e ballafaqimit me pandeminë KOVID-19 u propozua nga Komisioni më 22 prill dhe u miratua nga ligjvënësit më 25 maj të vitit 2020.