BE: Qeveria e re në Maqedoni të Veriut të përmbushë aspiratën evropiane

Bashkimi Evropian ka përshëndetur popullin e Maqedonisë së Veriut për pjesëmarrjen në votime në zgjedhjet e parakohshme të 15 korrikut, pavarësisht pandemisë COVID-19.

Marketing

Përmes një deklarate të përbashkët, Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell dhe Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi theksojnë se pavarësisht faktit se fushata dhe votimet u zhvilluan në klimën e duhur, stabiliteti ligjor u dëmtua nga rishikimet thelbësore të kornizës ligjore dhe dekretet e miratuara nga qeveria.

Për këtë rekomandohet që autoritetet në Maqedoninë e Veriut të zbatojnë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e ardhshme.

“Presim të punojmë me një parlament të fuqishëm dhe me një koalicion qeveritar të qëndrueshëm që do të përmbushë objektivin strategjik të vendit, integrimin në BE dhe përmbushjen e pritshmërive të popullit”, shkruhet në deklaratën e përbashkët të dy diplomatëve.

BE premton se do të vijojë të mbështesë vendin në rrugën drejt anëtarësimit në familjen evropiane, por pret që autoritetet të përshpejtojnë zbatimin e reformave të lidhura me integrimin, veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe në forcimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Në fund të kësaj deklarate, Varhelyi dhe Borrell shprehen optimistë se Konferenca e parë Ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut do të mbahet shumë shpejt./Euronews.al/