Zgjedhjet parlamentare të 15 korrikut dhanë rezultate të ngushta mes partive politike, gjë që do t’i vështirësojë negociatat për formimin e shumicës së re në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut dhe formimin e qeverisë.
Në bazë të Kushtetutës, mandati për formimin e qeverisë i jepet partisë që ka fituar numrin më të madh të deputetëve, në këtë rast Lidhjes Social-Demokrate (LSDM), e cila ka siguruar 46 ulëse.
Që LSDM të formojë shumicë prej 61 deputetëve, asaj i duhen edhe 15 deputetë, pra detyrimisht do të duhet të bëjë koalicion me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) që ka 15 deputetë, e cila në fushatë doli me kërkesën për kryeministër shqiptar. Në të kundërtën do të ketë dy mundësi të tjera që për analistin politik, Albert Musliu, i cili mbetet skeptik ndaj opsioneve të tjera.
Por, i pyetur nga Portalb.mk se, cilat janë pikat që mund t’i afrojë Ahmetin dhe Zaevin, (për të krijuar qeveri), pas një fushate kundër njëri – tjetrit gjatë zgjedhjeve?, Musliu thotë se në plan të parë janë numrat dhe pastaj interesat.
“Ahmetin dhe Zaevin mund t’i afrojnë vetëm numrat edhe interesi për të krijuar shumicë, nëse kjo nuk ndodh do të fillojnë “pazaret” me deputetë. Sepse vetëm këto dy parti politike japin numrin 61. Nëse ka ndonjë version tjetër atëherë ata vetë do të duhet të na tregojnë se kush do bëjë pjesë në këto numra. Nga ana e VMRO-DPMNE-së, për të marrë numra është Lëvizja – Levica, sepse asnjë parti e rëndësishme shqiptare nuk e konsideron mundësinë e bashkëpunimit për qeveri, me një parti nacional-shoviniste. Sepse, edhe qëndrimet e tyre kanë qenë të qarta”, tha për Portalb.mk, Albert Musliu, analist politik.
Por, se çfarë angazhimi do të ketë në të ardhmen, për Musliun, atë e dinë vetë deputetët e partive politike. Ai mendon se partitë e dala, në zgjedhje, me numra 46 – 15 është procedurë e ankimimeve të përmbyllet pa ndryshim mandatesh. Ku edhe sheh shumë opsione, siç edhe thotë se sheh kryeministër me rotacion, ndryshim kryeministri me post të financave, udhëheqës shtabi, udhëheqës me bankën popullore. Pra shikojmë shumë mundësi, por duhet theksuar se post politik në këtë aspekt është vetëm institucioni i financave, lider shtabi dhe guvernator i bankës janë a – politik. Gjithsesi, ai mendon se për një pozitë në shtab, nuk do të lë anash edhe ndërkombëtarët sepse RMV-tashmë është pjesë e NATO-s.
Musliu, në fund thotë nëse partitë politike, gjegjësisht LSDM dhe BDI nuk bien dakord, opsion tjetër është i pakapshëm, ku edhe opsioni i fundit është që qytetarët të dalin sërish në zgjedhje.
Për analistin Petar Arsovski, mundësi e vetme mbetet rrugëtimi i filluar për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian, ku edhe do të duhet të vazhdojë ky rrugëtim, derisa të përmbushen e gjithë kjo nismë, mes LSDM-së dhe BDI-së.
“Pikat që i atakojnë këto dy parti LSDM dhe BDI janë integrimi evropian, sepse bashkë vendosën për Marrëveshjen e Prespës. Pikërisht kjo është pika e takimit dhe e mundësisë së bashkëpunimit të mëtutjeshëm. Sepse, Unioni Evropian, pikërisht kërkon që Maqedonia e Veriut të vazhdojë rrugën për t’u bërë pjesë e këtij unioni”, tha Arsovski, për Portalb.mk.
Edhe për analistin, Xhelal Neziri, procesi i negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian për Republikën e Maqedonisë që do të thotë përfundim i procesit të përafrimit drejt Bashkimit Evropian, mund të lind një ribashkëpunim mes LSDM-BDI.
“Hapja e negociatave me BE-në dhe procesi i integrimeve evropiane mund të jetë pika kyçe që mund të afrojë Ahmetin me Zaevin. Në planin e brendshëm që të dy kanë gati plane të ngjashme – reforma në sistem dhe përmirësim të standardit jetësor. Do të jetë rëndë të kalohen sedrat personale, të prekura gjatë fushatës me akuzat dhe provokimet në adresë të njëri-tjetrit. Vetë fakti se nuk kanë kontaktuar pas përfundimit të zgjedhjeve flet për një ngërç të vërtetë në relacionin midis dy liderëve”, tha analisti Xhelal Neziri.
Por, edhe pse dy partitë maqedonase, LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja, kanë hedhur poshtë një kërkesë për një kryeministër shqiptar dhe kjo pritet të shihet se si do të reflektohet në bisedimet për qeverinë.
Për analistin Neziri, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, mund të këmbëngulë dhe të bind liderin e LSDM-së, në këtë ide, e cila mund edhe mund të realizohet. Por se, LSDM, mund ta kushtëzojë BDI-në, për këtë post të rëndësishëm në qeverinë e RMV-së.
“Ahmeti mund ta bindë Zevin me konstruktivitetin e idesë për një kryeministër shqiptar. Është simbolika e vet postit që do të dërgonte porosi te qytetarët shqiptarë në vend se asnjë post nuk është i ndaluar për ato. Do të kontriubuonte ne kohezionin e brendshëm të shtetit. Nga ana tjetër, Zaev mund ta bindë me pozita tjera të rëndësishme në nivel shteti”, tha Neziri./Portalb.mk