Liverpoolit i ka takuar spektakli në ‘Anfield Road’, me skuadrën e Jurgen Klopp që mposhti 5:3 Chelsean, të mërkurën mbrëma.
‘The Reds’ patën një pjesë të parë fantastike, dhe pas 43 minutash, patën epërsi prej 3:0.
Naby Keita me një goditje të fortë e të saktë, kaloi në epërsi 1:0 Liverpoolin në minutën e 23’.
Një gol të bukur realizoi edhe Alexander Arnold, nga gjuajtja e lirë, në minutën e 38’, ndërsa Georginio Wijnaldum, në minutën e 43’, shënoi për 3:0.
Shpresat për Chelsean u rikthyen në minutat shtesë të pjesës së parë, me golin e realizuar nga sulmuesi Oliver Giroud.
Ndeshja atraktive u zhvillua edhe në pjesën e dytë, ku fillimisht Liverpool gjeti rrjetën përmes Roberto Firmino, për 4:1.
Chelsea vendosi në presion Liverpoolin, kur shënoi dy herë nëpërmjet Tommy Abraham dhe Cristian Pulisic.
Rezultatin përfundimtar të ndeshjes (5:3), e vendosi Alex Oxlade-Chamberlain, në minutën e 84’.
Me këtë fitore, Liverpool numëron 96 pikë, ndërsa Chelsea me 63 pikë, renditet në vendin e katërt.