Greqia po kërkon nga Bashkimi Europian t’i vendosë sanksione Turqisë në lidhje me nisjen e kërkimit të gazit në Mesdheun Lindor. Kryeministri Kyriakos Mitsotakis tha se Turqia nuk po sfidon vetëm Greqinë dhe Qipron, por mbarë Bashkimin Europian.
Tensionet midis Greqisë, Turqisë dhe Qipros pritet të jenë në krye të axhendës së presidencës gjermane të Bashkimit Europian. Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Mass takoi në Athinë homologun grek Nikos Dendias dhe kryeministrin Kyriakos Mitsotakis.
Turqia kërkon me ngulm një pjesë të rezervave të gazit të zbuluara në Mesdheun Lindor dhe në mënyrë të njëanshme ka dërguar anijet për të kërkuar gazin në det. Këtë veprim Athina e konsideron një hallkë tjetër në zinxhirin e veprimeve agresive kundër saj, por edhe Qipros dhe gjithë Bashkimit Europian.
“Të sfidosh të drejtat sovrane të Greqisë dhe Qipros është të sfidosh ato të Europës”, tha gjatë takimit me ministrin e Jashtëm gjerman, Heiko Maas, kryeministri grek Mitsotakis, i cili nga ana tjetër kërkoi ndihmën e aleatëve për t’i vendosur sanksione Turqisë.
Ministri gjerman Mass i dënoi veprimet e Turqisë në Mesdheun Lindor dhe e paralajmëroi Ankaranë me sanksione.