Në çdo gjë që bëjmë apo prekim është e pamundur që tanimë të mos mendojmë për Covid-19.
Rreziku nga koronavirusi nuk është vetëm në vendet e populluara, si supermarketet apo transporti publik. Rreziku është në çdo mjedis ku qëndrojmë dhe jemi në kontakt me njerëz, prandaj, duke qenë se kohën më të madhe e kalojmë në punë, është e rëndësishme të tregohemi të kujdesshëm edhe për ambientin ku punojmë.
Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dhe Administrata e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë (OSHA) kanë dhënë disa këshilla që duhet t’i kemi parasysh në mjedisin e punës gjatë kësaj kohe pandemie, në mënyrë që të minimizojmë rrezikun nga virusi.
Mbani gjithnjë pranë vetes një xhel dezinfektues
Në rastet kur nuk mund të shkoni të lani duart, sepse mund të keni punë me urgjencë, dezinfektuesit e duarve janë një zëvendësues i shkëlqyeshëm. Mirëpo, gjithmonë është më mirë që duart t’i lani me sapun dhe ujë edhe pas dezinfektimit me xhel.
Shmangni kontaktet fizike të panevojshme
Koronavirusi transmetohet kryesisht përmes njerëzve, e shumica e punëve kanë të bëjnë direkt me njerëzit. Prandaj, shmangia e kontakteve fizike është e nevojshme në këtë periudhë. Rekomandohet refuzimi i shtrëngimeve të duarve, shkruan classlifestyle. Në vend të kësaj, mund të praktikohen përshëndetje tjera, qoftë edhe vetëm buzëqeshje miqësore.
Pastroni me dezinfektues ekranet, tastierat, mausin dhe telefonat
Jo më pak rëndësi ka edhe dezinfektimi i telefonit, tastierave, mausit. Sigurohuni që të përdorni lecka pak të lagura për t’i pastruar dhe dezinfektuar edhe këto sipërfaqe.
Çfarë masa duhet të ndërmarrin punëdhënësit?
Në përputhje me këto rrethana, punëdhënësit duhet të ndërmarrin disa hapa të menjëhershëm në mënyrë që mjedisin e punës dhe punonjësit t’i mbajnë të sigurt.
Disa kompani veç kanë filluar dezinfektimin e tavolinave, kompjuterave, telefonave, çelësave, makinave – ndërsa të tjera kanë vendosur të punojnë nga shtëpia, sidomos në rast të simptomave tashmë të njohura të këtij virusi, si kolla apo teshtitjet.
Duhet pasur një qasje e duhur, jo vetëm në këtë kohë kur ka një shpërhapje të madhe globale të virusit, por gjithnjë, e sidomos në periudhat kur kërcënohet shëndeti i punonjësit.
Punëdhënësit duhet të komunikojnë hapur me punonjësit e tyre, në mënyrë që ata të kenë informacionet e nevojshme që të ndihmojnë veten dhe kolegët përreth. Ata duhet të ndërmarrin disa masa të para që lidhen me:
Higjienën e mirë
Punën në distancë
Dezinfektimin e zyrave
Ndalimin e udhëtimeve
Çështjet e higjienës në vendin e punës janë gjithmonë të rëndësishme dhe mund të ndihmojnë në zvogëlimin e rrezikut për transmetim të çdo lloj virusi.
OSHA kërkon që punëdhënësit të sigurojnë një mjedis pune “të lirë nga rreziqet e njohura që po shkaktojnë ose ka mundësi të shkaktojnë vdekje ose dëme serioze fizike”.
Përpos masave të përmendura më lart, për një ambient të pastër të punës, në periudha të tilla, kompanitë duhet të praktikojnë sa më shumë edhe punën nga shtëpia.