KSHPK, kontroll raporteve financiare të partive

Pas përfundimit të zgjedhjeve, Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit do t’i kontrollojë raportet financiare të partive politike, përfshi edhe rishikim e xhirollogarive bankare.

Marketing

Kontrollit nuk do t’i shpëtojnë as donatorët të cilët do të kontrollohen se a kishin mjete për t’i paguar fushatat e partive politike. Ky ishte një ndër konstatimet e mbledhjes së KSHPK-së. Sipas Katica Nikollovas nga KSHPK, partitë politike më së shumti mjete kanë pranuar nga persona fizikë, politikanë aktualë nga radhët e tyre, por edhe donatorë të tjerë.

“Kemi siguruar qasje deri tek informacionet e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, në pjesën e shfrytëzuesve të ndihmave sociale, por kemi bashkëpunim edhe me Agjencia për Punësim, dhe po analizojmë se a mund të ketë shembuj ku donatorët e partive politike janë shfrytëzues të ndihmave sociale, a janë të punësuar dhe thjeshtë a kanë CV të një donatori që mund të japë donacion në fushatat e partive politike dhe gjatë kësaj kohe do t’i kryqëzojmë këto të dhëna.”,- tha anëtarja e KSHPK-së, Katica Nikollova.

Pikë shumë e rëndësishme në mbledhjen e KSHPK-së ishte edhe emërimi i Lile Delidgjakova në pozicionin e nënkryetares në Komisionin e Sigurimeve dhe Shkëmbimeve nga ana e Qeverisë, propozim që në qershor të vitit 2018 u miratua edhe në Kuvend.

Sipas këtij Komisioni, Delidgjakova kishte aplikuar për punë në Komisionin e Sigurimeve dhe Shkëmbimeve, por e njëjta nuk ishte pranuar, sepse nuk plotësonte kushtet e kërkuara, e më pas ajo u emërua nga Qeveria si nënkryetare e këtij Komisioni.

Ky veprim i Qeverisë, sipas Anti Korrupsionit, është një shembull klasik i korrupsionit në qarqet më të larta shtetërore. Delidgjakova është motra e ish kryetares së Prokurorisë Speciale Publike, Katica Janeva.