Erdogan: 350 mijë njerëz morën pjesë në namazin e xhumasë në hapjen e Xhamisë së Madhe Ajasofja (VIDEO)

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se 350 mijë njerëz morën pjesë në faljen e namazit të xhumasë në hapjen e Xhamisë së Madhe Ajasofja, raporton AA.

Marketing

Erdoğan, së bashku me kryetarin e Partisë Lëvizja Nacionaliste (MHP), Devlet Bahçeli, vizituan varrin e Sulltan Mehmet Fatihut. Në një prononcim për gazetarët, presidenti turk uroi që xhamia të vazhdojë “t’i shërbejë përgjithmonë të gjithë njerëzve”.

“Ishte xhami, u bë sërish xhami”, theksoi Erdoğan.

“Krahas kësaj, është një vend në të cilin njerëzit e të gjitha feve mund të vijnë dhe të shëtisin, si një trashëgimi kulturore e gjithë njerëzimit”, shtoi ai.

Ai tha se ka marrë informacione zyrtare se 350 mijë njerëz kanë marrë pjesë në namazin e xhumasë.

“Natyrisht, kjo ishte fryt i një dashurie shumë të rëndësishme”, deklaroi presidenti turk.

Ai paralajmëroi një restaurim të brendshëm dhe të jashtëm të xhamisë nga ana e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit.

“Uroj që me këtë restaurim, Ajasofja do t”efitojë një strukturë më kuptimplote dhe më të veçantë”, tha Erdoğan.

Ndryshe, autoritetet turke ndërmorën masa të rrepta të sigurisë dhe shëndetësore me rastin e faljes së namazit të parë të xhumasë në Xhaminë e Madhe Ajasofja pas 86 vitesh.

Qytetarët kaluan në 11 pika të kontrollit për t’u lejuar të hyjnë në zonën e caktuar për namaz.

Pas dezinfektimit, shërbimet kompetente shpërndanë maska ​​dhe sixhade njëpërdorimëshe.

Si pjesë e masave që synojnë të parandalojnë përhapjen e koronavirusit, namazi u fal në pesë zona në hapësirë ​​të hapur, tri për burra dhe dy për gratë.

Në të njëjtën kohë, në pikat e kontrollit, shërbimet kompetente kontrolluan temperaturën trupore të vizitorëve dhe mbajtjen e maskave. U angazhuan 736 punëtorë shëndetësorë në terren, të vendosur në 17 lokacione, si dhe dhjetëra ambulanca dhe një helikopter ambulant.

Më 10 korrik, gjykata e lartë administrative e Turqisë anuloi vendimin e vitit 1934 të qeverisë së atëhershme turke për ta kthyer objektin në muze, ndërsa më pas, përmes një vendimi presidencial, ajo i rikthye në xhami dhe administrimi i saj iu dorëzua Kryesisë së Çështjeve Fetare.