Pas pesë rasteve të djeshme, sot në Dibër janë konfirmuar tetë rate të reja me Kovid-19, me çka numri i përgjithshëm i afrohet deri 200 të infektuarve.
“Siç edhe paralajmëruam, numri i të infektuarve me virusin e rrezikshëm do të rritet, që është pasojë e mosrespektimit të masave dhe protokolleve. U bëjmë apel të fuqishëm qytetarëve dhe subjekteve afariste, në mënyrë të rreptë t’i respektojnë rekomandimet, sepse vetëm ashtu do të mund të përballemi me armikun e padukshëm”, porositin nga Shtabi komunal i krizës.
Nga atje e përsërisin faktin se edhe më tutje është i madh numri i qytetarëve të cilët me simptoma të virusin të rrezikshëm po paraqiten në Spitalin e përgjithshëm në Dibër.
Përndryshe, me tetë rastet e konfirmuara sot, numri i përgjithshëm u rrit në 193. Prej tyre në listën e të shëruarve janë futur 62, kanë vdekur gjashtë, përderisa të tjerët janë aktivë me sëmundjen. Numri më i madh janë me formë të lehtë të sëmundjes dhe po mjekohen në kushte shtëpiake, përderisa dhjetëra të tjerë janë hospitalizuar në institucione shëndetësore në Shkup.
Në 24 orët e fundit nuk janë dhënë urdhëresa pagesore për mosmbajtje të maskës mbrojtëse në rajonin që e mbulon Sektori i Dibrës për punë të brendshme.