Në listat e donatorëve të partive figurojnë deputetë, ministra, kryetarë të komunave, zyrtarë të mëparshëm dhe aktualë. LSDM-ja për këto zgjedhje ka grumbulluar mbi 14 milionë denarë, që i bie mbi 230 mijë euro. Në listën e donatorëve janë mbi një mijë persona, por më shumë fonde për fushatën kanë dhënë Fanica Nikollovska dhe partneri i koalicionit, Bilal Kasami, edhe atë nga 180 mijë denarë, kurse Kasami ka dhënë 10 mijë denarë shtesë me çka është bërë donatori më i madh i LSDM-së.
Mes atyre që kanë dhuruar shuma të mëdha parash janë kryeministri Oliver Spasovski, ministrat Nikolla Dimitrov, Radmilla Shekerinska, nënkryetari i partisë, Muhamed Zekiri, si dhe deputeti Panço Minov me nga 170 mijë denarë. Fushata është mbështetur nga 5 kompani të cilat i kanë dhuruar shërbimet e tyre në vlerë prej 100.000 eurove.
Megjithatë, më shumë donacione kanë ardhur në adresë të VMRO-DPMNE-së. Në xhirollogarinë e partisë kanë hyrë mbi 33 milionë denarë, respektivisht mbi 533 mijë euro. Në listën e donatorëve të VMRO-DPMNE-së figurojnë deputetë dhe ish-funksionarë, kurse shuma e fondeve të dhuruara varion nga 10 deri në 750 mijë denarë. Pikërisht Igor Parmakovski është ai i cili ka paguar shumën më të lartë prej bile 12 mijë eurove, pastaj vijojnë Monika Popçeva, Vesna Nikolloska, Kreshimir Paviq dhe Ana Staiq me donacion mbi 5 mijë euro.
Në mesin e emrave të njohur që figurojnë si donatorë janë: deputetja Bllagica Llasovska, Ane Llashkoska, Dragan Kovaçki, i cili para Çulevit ishte propozuar për ministër teknik për Punë të Brendshme, por në listën e donatorëve nuk vërehet udhëheqësia e partisë. Ka edhe 9 kompani të cilat me shërbime të tyre në vlerë prej 35 mijë eurove e kanë mbështetur fushatën zgjedhore të VMRO-DPMNE-së.
BDI-ja ka paraqitur diçka më shumë se 4 milionë e 500 mijë denarë ose rreth 74 mijë euro, ku hyn edhe shuma prej 1 milionë denarëve nga anëtarësimi, nga të cilat 33 mijë denarë janë donacione në shërbime. Si donatorë paraqiten 15 persona, prej të cilëve më shumë mjete kanë dhënë Bashkim Memedi, Ertan Bajrami dhe Kushtrim Gazmend, të gjithë nga 184 mijë dhe 200 denarë, ose rreth 3 mijë euro.
Aleanca për Shqiptarët ka vetëm një donator me një mijë euro, kurse PDSH-ja ka marrë diçka më shumë se një milion denarë, ku mes donatorëve paraqitet edhe lideri Menduh Thaçi i cili ka dhuruar 175 mijë denarë. E Majta ka vetëm një donacion prej 10 mijë e 700 denarëve, mjete të cilat vijnë nga Emil Niami, por sipas raportit, partia ka transferuar para nga xhirollogaria e saj në vlerë prej 3 milionë e 500 mijë denarëve, ose mbi 57 mijë euro. Partitë e tjera që kanë fituar mandate janë me donacione më të vogla. TV21