Loja e rrezikshme mbërrin në Shqipëri: Denoncohen rastet e para

Pak kohë më parë, u soll në vëmendje rreziku i “lojës” së Jonathan Galindo-s, i njohur edhe si “Cursed Goofy”. Loja shfaqet nën emrin Jonathan Galindo dhe u kërkon njerëzve, përgjithësisht fëmijë, që të kryejnë sfida të ndryshme, duke arritur në fund edhe drejt vetëvrasjes. Përdorues anonimë krijojnë profile duke përdorur emrin “Jonathan Galindo” dhe duke përdorur imazhe të ndryshme të “Cursed Goofy” , iu dërgojnë mesazhe grave dhe fëmijëve nëpërmjet platformave të mediave sociale, duke i pyetur ata nëse dëshirojnë të luajnë një lojë, zakonisht referuar sfidave të Balenës Blu, e cila ka ngjashmëri me sfidën “Momo”.

Marketing

Nëse ata refuzojnë, përdoruesi do t’i kërcënojë se do bëjë publik informacionin e tyre personal. Nëse personat të cilët kanë marrë mesazhet do të pranojnë të luajnë, kjo sfidë mund të zgjasë 50 ditë me 50 sfida të ndryshme dhe si përfundim sfida e fundit mund t’i çojë deri në shkaktimin e vetëvrasjes.

Sipas një njoftimi të policisë disa ditë më parë thuhej se nuk është konstatuar asnjë rast në vendin tonë, por së fundmi, në Linjën Kombëtare të Ndihmës për Fëmijë, Alo 116, kanë mbërritur 5 sinjalizime brenda 1 jave.

“Bëhet fjalë për një adresë që është në Instagram. Fëmijët janë kontaktuar nga e njëjta adresë. Disa biseda janë bërë në shqip, disa biseda janë bërë në anglisht. Janë të grupmoshës 10 deri 16 vjeç që na kanë sinjalizuar. Shumë na kanë telefonuar edhe për të pyetur se si mund të mbrohen në rast se kontaktohen nga një person, i cili “është” Jonathan Galindo”, thotë për TV Klan, Mirgit Vata, drejtori ekzekutiv i Linjës Alo 116 – Telefoni i Ndihmës për Fëmijë.

Faqja e denoncuar është mbyllur, por ende nuk është bërë i mundur identifikimi i personit që e ka hapur atë si llogari.

Sipas psikologëve, informimi dhe komunikimi me fëmijët mund të shërbejë si një mënyrë parandaluese. Moza Sula, psikologe, shprehet se më të rrezikuar janë fëmijët që kalojnë shumë kohë në internet apo bëjnë një jetë të varfër sociale:

“Nëse fëmija ka ndryshuar diçka në ushqim, në rutinën e tij ditore, në higjienën personale, nëse nuk është më i komunikueshëm si më parë… Eksplorimi në dritare të ndryshme të internetit, mund ta bëjë fëmijën burim viktimizimi në çdo moment prandaj është shumë e rëndësishme të bëhet kontrolli nga ana e prindërve.”