Loja me votat dhe manipulimi i shqiptarëve!

Që nga shpallja e pluralizmit në MV e deri më sot, loja e djallëzisë së pushtetit përmes zgjedhjeve parlamentare vazhdon të luhet mbi kurrizin e shqiptarëve me rrëfenjën e radhës, se ata po vënë në jetë rregullat dhe praktikat demokratike të shprehjes së lirë përmes votës demokratike për të gjithë.

Marketing

Dhe ky rregull qënkësh ligji për zgjedhjet ku partitë tona politike me ato sllavo-maqedone kanë miratuar një ligj për zgjedhjet nga i cili partitë sllave fitojnë afro 90 deputetë në parlament, ndërsa shqiptarët maksimum deri në 32 deputetë.
Me këto numra të stisura dhe të ”fryra” të bllokut sllavo-maqedon ata po bëjnë shumicën absolute në parlamentin e MV, një hile e madhe kjo në përcaktimin dhe shpërndarjen e deputetëve që nuk përputhet me numrin real të shqiptarëve në MV.

Partitë shqiptare kanë votuar këtë ligj zgjedhor që diskriminon votën shqiptare dhe vet partitë shqiptare të cilat janë detyruar të regjistrojnë emrat e partive të tyre në gjuhën sllave dhe me shkronja të alfabetit cirilik.
Për këtë diskriminim kombëtar që u bëhet shqiptarëve nga ana e pushtetit të kapur nga sllavo-maqedonët, partitë shqiptare nuk guxojnë ta ngrejnë këtë çështje si problem për zgjidhje për shkak të frikës së përjashtimit apo mosregjistrimit si subjekte konkuruese në këto gara me emra në gjuhën shqipe.

Prandaj, loja me sistemin zgjedhor të zgjedhjeve parlamentare si rregull i demokracisë është vetëm një farsë për shqiptarët që duhet të dalin dhe të votojnë në ”zgjedhje të lira dhe demokratike”.
Si lexohet kjo votë pastaja pak rëndësi ka sepse numrat e deputetëve shqiptarë janë përcaktuar që më parë.

Kur dëgjon liderët shqiptarë të thonë se; ”Ne do sjellim ndryshimin”, ahere të vjen për gajasur nga ”axhamillëku” dhe qëndrimet e tyre groteske ndaj atyre zotimeve pa mbulesë që nuk i kanë realizuar kurrë.

Janë po këto parti shqiptare që gjatë tërë ekzistencës së tyre kanë pranuar denigrimin dhe përdhosjen ndaj tyre dhe kombit duke pranuar një sistem zgjedhor diskriminues si dhe regjistrimin e tyre në zgjedhje të ndryshme me emër sllav dhe me shkrim cirilik.

Këto të vërteta janë vetëm maja e Ajsbergut të ”mëkateve” që partitë shqiptare i kanë shkaktuar shqiptarëve të MV.
Ndaj, shqiptarët s’kanë pse entuziazmohen me 32 deputetë vasalë të Zajkos në parlamentin e MV, të cilët do të zbatojnë urdhërin e despotit për të hedhur poshtë çdo fjalë nga programi i tyre politik në qeverinë e koalicionit.

Ata nuk do të kenë më gatishmëri për t’i mbrojtur interesat kombëtare, por në vend të agjendave kombëtare do të zëvendësohen me agjenda të interesave të ngushta karrieriste dhe të ndarjes së tenderëve mes tyre. Medai Shaholli