Xhamitë e zbrazura për festën/ Në xhaminë e madhe të Mekës, falja është bërë pa besimtarë

Falja e kurban bajramit, në xhaminë e madhe në qytetin e shenjtë të Mekës, është zhvilluar për të parën herë në historinë moderne, pa besimtarë, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Marketing

Autoritetet saudite, lejuan vetëm stafin e pastrimit dhe personelin e sigurisë të hynte atje.
Në të kundërt, me mijëra vetë u falën jashtë Shën Sofisë në Stamboll, në ditën e parë të festës së kurban bajramit, dhe kjo ishte në të njëjtën kohë edhe hera e parë që falja e bajramit mbahej në ndërtesën ikonike që pas kthimit të saj në një xhami, më herët këtë muaj.

Edhe në xhaminë Al Aqsa, në Jeruzalem, besimtarët palestinezë u falën në ditën e parë të festës së sakrificës, që në të gjithë botën myslimane kremtohet në nder të vullnetit të Ibrahimit për të sakrifikuar djalin e tij për zotin.

Në vende të tjera myslimane të botës, faljet u ndaluan ose u kufizuan për shkak të pandemisë.

Festës së kurban bajramit, i parapriu rituali i Haxhit, që këtë vit, nuk ngjasonte me asnjë ritual të mëparshëm. Si asnjëherë më parë, Arabia saudite ndaloi ardhjen e pelegrinëve nga vende të tjera të botës dhe lejoi vetëm shtetasit e saj, në numra të kufizuar, të kryenin një nga obligimet kryesore të islamit, transmeton Tch.

Pelegrinët myslimanë ecën përreth qabesë në ditën e tretë të Haxhit ndërkohë që më herët iu ngjitën malit Arafat, gjithçka nën kontrolle të rrepta dhe masa distancimi social.