Presidenti rus, Vladimir Putin ka kthyer në ligj një projektligj kontravers, i cili mundëson që procesi i votimit të zgjasë deri në tri ditë.
Ky ligj është nënshkruar nga presidenti rus më 31 korrik dhe është publikuar më pas në faqen federale qeveritare.
Projektligji fillimisht është miratuar nga të dyja dhomat e parlamentit rus përgjatë muajit korrik.
Menjëherë pas miratimit të projektligjit nga ana e Këshillit Federal, udhëheqësja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Ella Pamfilova ka njoftuar se sistemi i ri i votimit do të aplikohet përgjatë zgjedhjeve në muajin shtator në 41 prej 83 rajoneve të Federatës Ruse.
Sipas saj, votimi do të nisë më 11 shtator dhe do të zgjasë për tre ditë.
Në projektligj është thënë se vendimi për të mbajtur proces zgjedhor disaditor merret nga zyrtarët zgjedhorë.
Organizatat për të drejta të njeriut në Rusi kanë kritikuar ashpër këtë ligj, duke thënë se njerëzve në pushtet u jep më shumë mundësi për të kontrolluar zgjedhjet dhe pontencialisht edhe rezultatin e tyre.
Votimi disaditor është aplikuar për herë të parë në periudhën 25 qershor -1 korrik, kur janë votuar disa amendamente kushtetuese.
Në mesin e tyre ka qenë edhe ndryshimi që i mundëson presidentit Putin të garojë edhe për dy mandate tjera presidenciale, pasi t’i përfundojë mandati aktual më 2024.