Eurozona përjeton tkurrje rekorde të ekonomisë

Eurozona ka përjetuar rënie ekonomike prej 12.1 për qind në periudhën prill-qershor për dallim nga çereku paraprak, teksa izolimi për shkak të koronavirusit ka ndikuar në mbyllje të bizneseve dhe ka penguar shpenzimet e konsumatorëve.

Marketing

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të BE-së, Eurostat, kanë treguar se kjo ka qenë rënia më e madhe prej kur kanë nisur së regjistruari të dhënat më 1995.

Spanja, e cila ka qenë ndër shtetet e prekura më së keqi nga pandemia, ka treguar rezultatet më të dobëta në mesin e 19 shteteve të Eurozonës, duke u përballur me recesionin më të thellë të kohës moderne.

Ekonomia e këtij shteti është tkurrur për 18.5 për qind, pas rënies prej 5.2 për qind në tre muajt e parë të këtij viti.

Ekonomia e Francës po ashtu është goditur rëndë, meqë shkalla e rritjes së bruto-prodhimit të brendshëm ka rënë për 13.8 për qind në çerekun e dytë.

Sipas Eurostatit, BE-ja me 27 anëtarë është përballur me tkurrje të prodhimit prej 11.9 për qind.

Ekonomistët kanë thënë se rënia më e thellë është vërejtur në muajt prill dhe maj, kur masat e kufizimit kundër koronavirusit kanë qenë tejet të ashpra.

Megjithatë, ekonomitë nuk pritet që para vitit 2022 të kthehen në nivelin e krijuar para pandemisë.