Tri vajza morën hak ndaj babait të tyre, i cili për vite me radhë i kishte përdhunuar, dhunuar fizikisht dhe emocionalisht. Gjithçka nisi pas një sherri pse vajzat nuk kishin pastruar apartamentin.
Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur në verën e vitit 2019 në një bllok apartamentesh në Moskë. Sot vajzat përballen me një proces gjyqësor në ngarkim të tyre sepse akuzohen për vrasje me paramendim.
Një vit më parë, disa orë pasi u kthye nga klinika psikiatrike, Mikhail Khachaturn i rreshtoi tri vajzat e tij për t’i ndëshkuar për apartamentin e çrregullt dhe u hodhi në fytyrë spec djegës.
Ishte ajo natë kur vajzat, Krestina, 19 vjeçe, Angelina, 18 vjeçe dhe Maria, 17 vjeçe, vranë babanë e tyre. Ato e goditën disa herë me çekiç, thikë, kanaçe, madje edhe me spec djegës, duke i shkaktuar disa plagë në gjoks dhe qafë.
Por sipas autoriteteve ruse, ato bënë edhe disa plagë në trupin e tyre me thikë për ta “shitur” ngjarjen sikur babai i tyre ishte ai që i goditi i pari. Pasi trupi i Mikhail Khachaturn u gjet i pajetë në shkallët e një blloku apartamentesh, vajzat u arrestuan.
Ato rrëfyen se për vite me radhë kishin duruar abuzime seksuale, fizike dhe emocionale. Akuzimi i tyre për vrasje me paramendim ka shkaktuar një zemërim tek aktivistët në Rusi. Pas një hetimi të gjatë, gjykimi i tyre nisi të premten në një sallë gjyqi në Moskë.
Ekspertët e dhunës në familje, së bashku me ekipin e mbrojtjes së motrave, thonë se në mungesë të mekanizmave mbrojtës të duhur brenda zbatimit të ligjit dhe sistemit gjyqësor, zgjidhja e vetme e tyre ishte të mbronin veten ose përfundimisht të vdisnin në duart e babait të tyre.
Në bisedat me tekst të marra nga telefoni i babait të tyre, Mikhail Khachaturyan duket se kishte kërcënuar se do t’i vriste ata dhe abuzonte seksualisht me ta dhe nënën e tyre.
“Do t’ju rrah për gjithçka, do t’ju vras. Ju jeni prostituta dhe do të vdisni si të tilla”, thotë një tekst nga prilli 2018, duke i akuzuar ato se kanë marrëdhënie seksuale me një mikun e tij.
“Ne mendojmë se ato nuk kishin zgjidhje tjetër. Babai i çoi vajzat në dëshpërim. E gjithë jeta e tyre ishte një ferr i vazhdueshëm. Ato nuk mund të krahasohen me njerëz të shëndetshëm, të qetë dhe të ekuilibruar … vajzat zhvilluan sëmundje të rënda mendore. Kjo u konfirmua nga të gjitha ekzaminimet në këtë rast”, tha një prej avokatëve të motrave, Aleksey Parshin.
Që nga vera e kaluar, aktivistët kanë organizuar dhjetëra demonstrata në mbështetje të motrave nën fushatën “Unë nuk doja të vdisja”.