Në Kosovë, gjatë 24 orëve të fundit, dhjetë pacientë me COVID-19 kanë vdekur dhe janë regjistruar 224 raste të reja me këtë sëmundje që e shkakton koronavirusi i ri.
Kështu tha në një konferencë për media, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani.
Ramadani njoftoi se këto shifra dalin pas kryerjes së testimeve të 434 mostrave.
Gjatë 24 orëve të fundit po ashtu janë shëruar 152 persona, duke bërë që në total numri i të shëruarve të arrijë në 4,730.
Sipas shifrave të fundit, numri i vdekjeve arrin në 236. Ndërkaq, numri i përgjithshëm i të infektuarve ka shkuar në 8,554.
Ndërkaq, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar, Valbon Krasniqi se gjendja klnike e pacientëve me COVID-19 që janë të shtrirë në spitalet rajonale dhe në klinikat e QKUK-së është e rënduar.
Ai tha se numri i përgjithshëm i pacientëve me COVID-19 apo që dyshohet se janë të prekur nga kjo sëmundje, e që janë të shtrirë në QKUK dhe spitalet rajonale është 599.
Prej tyre, 257 janë të shtrirë në klinikat e Qendrës Klinike Universitare dhe 342 në spitalet rajonale.
Nga pacientët e shtrirë, 39 janë vënë në respiratorë dhe 15 pacientë janë të intubuar. Ndërkaq, 370 pacientë të tjerë kanë nevojë për trajtim të vazhdueshëm me oksigjenoterapi, njoftoi Krasniqi, duke shtuar se pacientët që po kërkojnë ndihmë, kanë një gjendje të rënduar shëndetësore.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se duke parë rritjen e rasteve me koronavirus ditëve të fundit, tha se autoritetet do të ashpërsojnë masat për të frenuar përhapjen e mëtejmë të virusit.
Ai tha se të premten mbrëma ka pasur grumbullim të qytetarëve dhe gastronomët nuk kanë respektuar orarin e caktuar të punës.
“Unë isha dëshmitarë vet, dhe nga tereni gjithashtu kam marrë informata nga inspektorët në terren, por kam marrë edhe mijëra mesazhe nga qytetarë të shqetësuar që në shumicën e qendrave të Kosovës kemi grumbullim të njerëzve të cilët nuk respektojnë asnjërën nga masat e vendosura. Përballë kësaj situate ne jemi të detyruar që të ashpërsojmë masat”, tha Zemaj.
Ministri Zemaj po ashtu njoftoi se po punohet që të ndërtohet një spital portativ, ku do të trajtohen vetëm personat me COVID-19.