Fundjava e zgjatur për shkak të festave i kishte zbrazur rrugët e Shkupit dhe të paktë ishin qytetarët që mund t’i takoje në rrugë.
Por edhe pse të paktë në numër, të gjithë qytetarët që i ndaloi TV21 u shprehën të revoltuar për shtrenjtimin e rrymës elektrike prej 7.4 për qind që u paralajmërua nga Komisioni rregullator.
Thonë se lerë që nuk na i rritën pensionet, tash duhet të paguajmë edhe fatura më të larta për rrymë.
“Ne, nuk mund të lejojmë luks. Kur të gjitha shtetet në botë i ulin shpenzimet, veçanërisht për rrymë, për derivate të naftës, për lëndë djegëse, për energji të ngrohjes, për gas,.. ne i shtrenjtojmë. Ku jetojmë ne? Çfarë mendojnë politikanët tanë? Se ky popull ka rënë nga qielli edhe nuk di asgjë. Se ata janë më të diturit. Nuk mundet me vjet të mos na e rrisin pensionin, a të na e rrisin rrymën. Ku është këtu normalja”, thotë një pensionist.
“Për rrymën po flisni? Oh, katastrofë do të jetë. Do të shtrenjtohen edhe prodhimet tjera. Ja, një ish funksionar tha se deri në shtator do të ketë para, se si do të jetë pas, Zoti e di. Ai le të na ndihmojë!”, thotë një i moshuar.
“Dikush nuk ka bukë të hajë, a këndej rryma i shtrenjtohet. Tash duhesh të frikësohet të lëshosh shporetin të ziesh kafe. Ky është turp. Duhet populli në mënyrë masive të dalë dhe të bojkotojnë. Ky është turp që e bëjnë. Të shtrenjtojnë rrymën!”, thotë një tjetër.
“Besoni, në këtë krizë, plus të dëgjojmë rritje. Na kanë lëshuar edhe fatura të dyfishta, tash edhe rritje. Ata kanë qenë në humbje?! Çfarë të thotë populli? Unë në shëndetësi punoj dhe nuk kam marrë asnjë rritje, por që të të marrin nga gjithandej”, thotë kjo grua që punon në shëndetësi.
Kërkojnë të shfuqizohet vendimi.
“Të anulohet. Pse të mos anulohet? Ky është turp”, thotë një qytetar.
“Patjetër të prishet vendimi”, thotë një tjetër.
Krahas shfuqizimit të vendimit, me peticion online kërkohet edhe ulje e TVSH-së (tatimit të vlerës së shtuar) nga 18 në 5 për qind. Në peticionin “Iniciativë qytetare për shfuqizim të rritjes së rrymës dhe uljen e TVSH-së” kërkohet: shfuqizim i tarifës së lartë, formimi i një fondi të veçantë për t’i mbuluar faturat e familjeve me gjendje ekonomike të vështirë, zgjidhje ligjore për blerje të energjisë elektrike fotovoltaike, shfuqizim të taksës komunale për ndriçim rrugor dhe ndryshim i sistemit tarifor të faturave.
Kundër rritjes janë deklaruar edhe nga Organizata për mbrojtjen e konsumatorëve. Ata vlerësojnë se me shtrenjtimin e rrymës elektrike, qytetarët do t’i shtyejnë kompanitë energjetike të vazhdojnë të punojnë në mënyrë joefikase.
Por me rritjen, duket se vendi ynë edhe më tej do të jetë i ranguar lart nga Eurostati. Të dhënat e vitit 2019 nga ky institucion ndërkombëtar, tregojnë se ne rangohemi të katërtit me rrymën më të shtrenjtë në raport me pagën mesatare. Japim 19.1% të pagës mesatare për 1 megavat për orë. E para rangohet Romania, me 21.4 për qind, pastaj Letonia me 21.1 për qind dhe e treta Bullgaria me 19.8 përqind. Në top dhjetë shtetet gjendet edhe Sllovenia, Portugalia, Çekia, Kroacia, Lituania dhe Polonia. TV21