Kosovë, infermierët kërkojnë t’iu paguhet më shumë ndërrimi i natës

Sindikata e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë shëndetësorë, kërkoi sot që ndërrimi i natës, t’iu paguhet nga 36 euro.

Marketing

Aktualisht, infermierët, për kujdestarinë e tyre paguhen 18 euro.

Kjo kërkesë u bë në një protestë të organizuar nga këta profesionistë shëndetësorë, përballë Qeverisë së Kosovës.

“Kërkesa jonë, e drejtë dhe direkte është që nga 18 euro (për ndërrimin e natës) të bëhet 36 euro. Nuk kemi kërkuar rritje të pagave sepse duke iu falënderuar këtij organizimi sindikal dhe profesional që e kemi, ata e kalkulojnë jashtëzakonisht mirë edhe gjendjen ekonomike, edhe aspektin buxhetor të Kosovës dhe nuk do të merremi tani me rritje të pagave sepse Gjykata Kushtetuese tanimë e ka dhënë një verdikt”, tha kryetari i Sindikatës së Infermierëve të Kosovës, Fitim Havolli.

Ai tha se qeveria nuk mund të ketë prioritet luftën ndaj pandemisë së koronavirusit, nëse nuk ka po ashtu prioritet infermierët, të cilët sipas tij, janë në vijën e parë të frontit në luftën kundër COVID-19, sëmundjes që e shkakton koronavirusi.

Havolli njoftoi se në mesin e punonjësve shëndetësorë janë rreth 800 të infektuar nga koronavirusi.

“Këto kërkesa nuk kanë të bëjnë me rroga, por kanë të bëjnë me një motivim që duhet t’i jepet këtij komuniteti”, tha Havolli.

Në sektorin publik, paga mujore e mjekut është rreth 600 euro në muaj, derisa infermierët për punën e tyre paguhen me rreth 400 euro.

Rritja e pagave për punëtorët shëndetësorë ishte paraparë që të bëhej përmes Ligjit për paga. Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, më 30 qershor, tha se ky ligj kishte elemente jokushtetuese. Ky vendim i Kushtetueses u tha se do të demotivojë profesionistët shëndetësorë të Kosovës.