Trump: TikTok do të ndalohet në SHBA nëse nuk shitet deri më 15 shtator

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha të hënën se aplikacioni për shpërndarjen e videove në pronësi kineze TikTok do të “dalë jashtë përdorimit” në Shtetet e Bashkuara, nëse nuk do t’i shitet një firme amerikane deri më 15 shtator.

Marketing

“Do të mbyllet më 15 shtator, përveç nëse Microsoft ose dikush tjetër është në gjendje ta blejë atë dhe të hartojë një marrëveshje”, u tha Trump gazetarëve.

Më herët, komania amerikane Microsoft, gjiganti i teknologjisë në Shtetet e Bashkuara, ka konfirmuar se është duke vazhduar bisedimet për blerje të operacioneve të aplikacionit kinez, TikTok në territorin amerikan.

Shefi i Microsoftit, Satya Nadella ka zhvilluar një bisedë me presidentin amerikan, Donald Trump rreth kësaj çështjeje, ka thënë kjo kompani.

Microsoft ka theksuar se “vlerëson rëndësinë” e shqetësimeve të Trumpit për këtë aplikacion.

Zyrtarët e SHBA-së kanë thënë se TikTok paraqet një rrezik kombëtar për shkak të trajtimit që u bën të dhënave personale.

Drejtori i Përgjithshëm i TikTok, Kevin Mayer tha në një postim javën e kaluar se kompania ishte e angazhuar të zbatonte ligjet e SHBA-së. /Rel