Megjithse ishte paralajmëruar se Komisioni për sëmundje ngjitëse do të mblidhet brenda kësaj jave, komisioni do të presë afatin e fundit për përpilim të protokolleve arsimore që është 10 gushti. Deri më 10 gusht Komisioni duhet të përpilojë protokollet arsimore dhe më pas ato të miratohen nga ana e Qeverisë. Më 15 gusht përfundon pushimi vjetor i mësimdhënësve dhe ata kthehen në vendet e tyre të punës kur edhe pritet të njihen me protokollet për mënyrën e fillimit të procesit edukativo arsimor.
Minsitria e Arsimit deri tani ka njoftuar se po shqyrton tre modele për fillimin e procesit arsimor.
“Modeli i parë parasheh që fëmijët të kthehen në shkollë, mësimin ta ndjekin me distancë, me maska dhe duke dezinfektuar vazhdimisht duart. Ora mësimore të zgjasë 20 minuta, ndërkaq në klasë të ketë jo më shumë se 15 nxënës. Modeli i dytë parasheh që nëse klasa ka më shumë se 15 nxënës, atëherë ndahet në dy grupe. Grupi i parë mëson në shkollë, ndërkaq i dyti mëson nga shtëpia me detyra shtesë. Grupet do të bëjnë rotacion çdo një apo dy javë. Modeli i tretë parasheh mësim online. Kjo do të zhvillohet me fëmijët që vuajnë nga sëmundje kronike dhe në komunat ku rastet me Kovid-19 janë të larta.”, thonë nga Minsitria e Arsimit.
Poashtu nga minsitria e arsimit ka paralajmëruar se çdo shkollë duhet të unifikojë një platformë për mësim online, duke përjashtuar mësimin e “Viberit” dhe “Messengerit” siç ishte praktikë vitin e kaluar shkollorë.