Fillojnë bisedimet për formimin e Qeverisë së re. Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev dje paralajmëroi Qeveri të qëndrueshme e cila në mandatin katërvjeçarë do të zgjidhë çështjet e shtetit të së drejtës, çështjet ekonomike, shëndetësore, por edhe do të vazhdojë proceset e integrimeve evropiane.
Qytetarët përmes votimet i japin direktivat dhe pritjet. Falë Zotit koalicioni i udhëhequr nga LSDM-ja mund të formojë Qeveri edhe me BDI-në edhe me Aleancën dhe Alternativën, varësisht nga largimi i nacionalizmave, varësisht nga një kapitull për pastrimin e gjyqësorit”, pohoi Zoran Zaev, kryetarë i LSDM-së.
Asnjëherë nuk kemi pasur problem si LSDM për përcaktimin e cilitdo kandidat, për cilëndo pozitë në shtet, por për kryeministër gjithsesi se duhet të keni numra. Me 15 deputetë nuk fitohet kryeministri”, theksoi Zaev.
Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev, pas konstituimit të Kuvendit, takimin e parë zyrtar për formimin e Qeverisë së re e realizoi me kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçi. Pas takimit nënkryetari i PDSH-së, Azem Sadiki, deklaroi se janë ftuar nga LSDM-ja për të qenë pjesë e Qeverisë së re, por nuk zbardhën detaje nga ky takim.
Na u ofrua mundësia që të jemi pjesë e qeverisë së ardhshme nga lideri i LSDM-së, Zoran Zaevi. Ne si parti pranuam ftesën. Janë formuar grupet punuese që do të udhëhiqen nga sekretari i partisë, bashkë me sekretarin e LSDM-së. Do të bisedojmë gjatë ditëve të ardhshme për të qenë pjesë e qeverisë së ardhshme”, pohoi Sadiki.
Edhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski tha se në periudhën që vjen do të ketë takime për formimin e shumicës së re e cila nuk do manipulojë me zgjidhjen e problemeve në ekonomi dhe shëndetësi, por në rrugë të shpejtë do e dërgojë Maqedoninë në BE. Ai nuk beson në mundësinë një pjesë e grupit parlamentarë të VMRO-DPMNE-së të japë mbështetje për taborin kundërshtarë.
Po, atyre deputetëve që u janë afruar njerëz misterioz që thirren në emër të kryesisë së LSDM-së, erdhën dhe thanë dhe me neveri i refuzuan dhe unë me neveri refuzoj të komentoj pazare të këtilla”, deklaroi Hristijan Mickovski, kryetarë i VMRO-DPMNE-së.
Edhe kryetari i BDI-së Ali Ahmeti paralajmëroi fillimin e bisedimeve.
Mendoj që nga sot gjërat mund të fillojnë…për bisedimet. Akoma nuk ka diçka konkrete”, deklaroi Ahmeti.
Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi tha se në bisedime do të marrin pjesë si koalicion me Aleancën.
Nuk bëjmë negociata në vete, ne jemi koalicion. Nëse na thërret dikush për negoaciata ne do të shkojmë bashkërisht. Të presim të shohim kush është mandatari, të shohim cili është vizioni i mandatarit për formimin e qeverisë”, tha mes tjerash Gashi.
Pas takimit me Menduh Thaçin, nga burime brenda LSDM-së mësohet se dje në mbrëmje është zhvilluar takim mes liderit të LSDM-së, Zoran Zaev dhe partnerit tij të koalicionit, kreun e Lëvizjes Besa Bilall Kasami. Takimi siç bëjnë të ditur burimet po mbahet në selinë e LSDM-së në Shkup. Ndryshe takimi Zaev-Kasami vjen pak ditë pasi kreu i Besës takoi në Kuvend liderin e BDI-së, Ali Ahmeti.
Ndryshe, në zgjedhjet e mbajtura më 15 korrik, koalicioni “Mundemi” i kryesuar nga LSDM fitoi 46 deputetë, koalicioni “Për ripërtëritje të Maqedonisë” i VMRO-DPMNE-së – 44, BDI – 15, koalicioni Aleanca dhe Alternativa – 12, E Majta 2 dhe PDSH 1 deputet.
Sipas Kushtetutës, presidenti i shtetit obligohet në afat prej 10 ditëve pas konstituimit të Kuvendit, të ndajë mandatin për formimin e Qeverisë.