Nadal nuk do të jetë pjesë e turneut të tenisit US Open

Kampioni aktual, Rafael Nadal ka njoftuar se nuk do të luajë në turneun e tenisit, U.S Open këtë vit, duke përmendur shqetësimet rreth koronavirusit dhe atë që e ka përshkruar si rishikim “barbar” të kalandarit ndërkombëtar sportiv.

Marketing

“Pas shumë mendimeve, kam vendosur që të mos luajë në turneun US Open të këtij viti”, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.

“Situata është shumë e komplikuar në gjithë botën, rastet me koronavirus janë duke u rritur, duket se ende nuk kemi kontroll ndaj tij”, ka thënë Nadal.

“Ky është vendim që kurrë nuk kam dëshiruar ta marr, mirëpo kam vendosur ta ndjek zemrën time këtë herë dhe për një kohë të mos udhëtoj”, ka deklaruar ai.

Nadal, 34-vjeçar ka qenë kritik edhe për organizimin e turneve të tenisit, data e të cilëve janë ndryshuar pas shpërthimit të sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi.

U.S Open në Nju Jork është planifikuar të mbahet nga 31 gushti deri më 13 shtator, derisa turneu tjetër francez, Roland Garros pritet të mbahet dy javë më vonë në Paris.

“Ne e dimë që një orar i tillë është barbar, pas katër muajve që nuk kemi luajtur” është shprehur Nadal.

Rivali i tenistit spanjoll, Roger Federer, gjithashtu ka thënë se nuk do të marrë pjesë në turneun amerikan këtë vit për shkak të një operimi në gju.

Mungesa e tyre i hap rrugën tenistit, Novak Gjokoviq që të fitojë titullin e 18-të Gram Slam në këtë turne.