Shtabi i Krizës pranë komunës së Tetovës pas mbledhjes së sotme vlerësoi se po ulen rastet e të infektuarve me KOVID-19, duke e shpjeguar atë me uljen e numrit të rasteve aktive në krahasim me dy javët e kaluara.
Qendra e Shëndetit Publik sot shënoi dy raste të reja.
“Që nga fillimi i pandemisë në Tetovë dhe pesë komunat përreth, numri i përgjithshëm i të diagnostikuarve është 1063, ndërsa prej tyre deri më tani janë shëruar 769 persona, 80 kanë ndërruar jetë, me çka numri i rasteve aktive është 214. Për fat të mirë, në Tetovë dhe rajon vazhdon trendi i uljes së rasteve të reja, përderisa numri i të shëruarve është në rritje, me çka nga java e kaluar e deri më sot numri i rasteve aktive është ulur dukshëm prej 276 në 214 persona”, theksoi kryetarja Teuta Arifi.
Nga Sektori i Punëve të Brendshme informuan se në Tetovë dhe komunat përreth numri i përgjithshëm i personave të cilët gjenden në izolim me vendim dhe vetizolim është 378.
“U bëjmë thirrje veçanërisht të rinjve që të mos grumbullohen në grupe më të mëdha dhe t’i respektojnë masat për distancë fizike, të mbajnë maska mbrojtëse dhe të kenë kujdes për higjienën personale. Gjithashtu, subjektet afariste dhe biznesmenët rreptësisht t’i respektojnë protokollet dhe masat mbrojtëse, sepse që të luftojmë kundër kësaj pandemie duhet ta dëshmojmë vendosmërinë tonë dhe nivelin e lartë të përgjegjësisë shoqërore dhe qytetare”, theksoi Arifi.
Gjatë 24 orëve të kaluara, për mosmbajtje të maskës mbrojtëse janë shqiptuar gjoba për 21 persona. Nuk ka shkelje te kontrollet e 346 personave me vendime për izolim në shtëpi.