Qeveria e re,deklarohen SHBA-të

SHBA-të janë të interesuara që Maqedonia e Veriut sa më shpejt të ketë Qeverinë e re pas zgjedhjeve të 15 korrikut.

Marketing

Ambasada amerikane në Shkup thekson se prioritet për vendin është arritja e marrëveshjes për një Qeveri të re, e cila do të fokusohet në zgjidhjen e çështjeve të rëndësishme për vendin.

“Duke marrë parasysh situatën e rënduar nga Covid-19 dhe çështje të tjera të rëndësishme me të cilat përballet vendi, prioritet është arritja e një marrëveshjeje për një qeveri të re që është në gjendje që t’i adresojë këto çështje. Nga pikëpamja jonë, si një aleate e NATO-s, ne shpresojmë që vendi të kapitalizojë këtë ritëm pozitiv të përftuar falë anëtarësimit në NATO dhe të bëjë përpara drejt anëtarësimit në BE. Implementimi i reformave të nevojshme dhe adresimi i çështjeve që lidhen me sundimin e ligjit dhe me korrupsionin, përfshi kulturën e pandëshkueshmërisë, do të jenë kyçe në këtë proces. Gjëja me e rëndësishme është të mos humbasë ritmi”, thuhet në përgjigjen e ambasadës amerikane në Shkup lidhur me pritjet për formimin e Qeverisë së re.

Ky qëndrim vjen ndërsa në Shkup kanë nisur përpjekjet për formimin e koalicionit qeveritar midis partive politike që fituan deputetë në zgjedhjet e fundit të parakohshme parlamentare.