Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka njoftuar se Italia do të dërgojë një ekip mjekësor ushtarak për t’i ndihmuar Kosovës në betejën me koronavirus.
Italia, që tashmë ka stabilizuar gjendjen me virusin COVID-19, do të dërgojë për ndihmë në Kosovë një ekip ushtarako-mjekësor.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj – Stublla, ka biseduar sot me homologun italian, Luigj Di Maio.
Siç bëhet e ditur në njoftim, përmes kësaj telefonate “të përzemërt”, ministrja – Haradinaj Stublla i ka shprehur mirënjohjen e saj homologut italian për kontributin e Italisë në shtetndërtimin e Kosovës, si partner strategjik, veçanërisht në aspektin e ruajtjes së paqes dhe sigurisë në vend, përmes komandës së KFOR-it.
Tutje, MPJ njofton se kryediplomati italian i ka konfirmuar ministres se shteti i tij do të dërgojë në Kosovë një ekip mjekësor.
“Ministri Di Maio më konfirmoi që do të dërgojë një ekip ushtarak-mjekësor nga Italia në ndihmë Kosovës në luftën anti-COVID-19, dhe për këtë akt fisnik, e falënderova përzemërsisht”, citohet të ketë thënë kryediplomatja e Kosovës.
Ndryshe, Italia, gjatë pranverës ka qenë shteti më i goditur në botë nga COVID-19, duke shënuar qindra mijëra infektime. Në verë, Italia stabilizoi gjendjen, ndërsa tash ka nisur ofrimin e ndihmës për shtetet që po konsiderohen se kanë hyrën në valën e dytë të infektimeve