Pandemia globale e COVID-19 tronditi botën dhe kriza shëndetësore u përhap në të gjitha
sferat e jetës shoqërore. Mijëra kompani humbën tregjet dhe klientët e tyre; u përballën me humbje të mëdha dhe një përqindje e konsiderueshme e tyre pushuan së funksionuari.
Përshtatja në “normalen e re”, ridrejtimi i resurseve dhe zgjerimi i fushës së veprimit në kushte të tilla të vështira janë domosdoshmëri për të mbijetuar dhe për të vazhduar më tej. Shumë prej tyre kanë një vizion, por gjithashtu kanë nevojë për mbështetje dhe udhëzim.
Për këtë qëllim, më 28 korrik, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore – OEMVP në
kuadër të Projektit të USAID-it për zhvillimin e ekosistemit të biznesit, realizoi Panairin e
parë Virtual Rajonal me pjesëmarrjen e mbi 60 ndërmarrjeve nga rajoni dhe Europa
Perëndimore. Për qëllimet dhe pritshmëritë e kompanive dhe vetë Odës, sot flasim me
Drilon Isenin, Drejtor Ekzekutiv i OEMVP.
Z. Iseni, para ca kohësh u realizua Panairi i parë Rajonal Virtual. Cili ishte interesi i
kompanive?
Pandemia globale e shkaktuar nga COVID-19 ndryshoi mënyrën se si zhvillohet çdo proces
shoqëror, ekonomik dhe madje politik. Me kalimin e kohës, kriza ekonomike preku të gjitha
vendet në botë, duke përfshirë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, duke i detyruar ato të
gjejnë zgjidhje për këtë problem dhe duke e transformuar perspektivën tradicionale të të
bërit biznes.
Themelimi i Odës Ekonomike të Maqedonisë-Veriperëndimore – OEMVP erdhi si rezultat i
shumë problemeve të pazgjidhura të komunitetit të biznesit dhe nevojës për të eleminuar
dhe gjetur zgjidhje të pranueshme reciprokisht, në vend dhe më gjerë. Dhe pikërisht në
këtë situatë krize të krijuar nga COVID-19, OEMVP përmes Projektit të USAID-it për
zhvillimin e ekosistemit të biznesit, me një ide origjinale dhe unike realizoi me sukses
Panairin e parë Virtual Rajonal me pjesëmarrjen e mbi 60 ndërmarrjeve nga rajoni dhe
Europa Perëndimore.
Cili ishte qëllimi i panairit?
Nisur nga rënia drastike e performancës së kompanive nga rajoni në këtë periudhë, ne
vlerësuam se është koha për t’u zgjeruar në tregjet e huaja, dhe pikërisht ky ishte qëllimi i
panairit virtual, i cili do t’u mundësojë kompanive që kanë prirje të zgjerohen, të
prezantojnë produktet dhe shërbimet e tyre dhe kështu potencialisht të realizojnë
partneritet dhe bashkëpunim me kompani të tjera nga vendet që morën pjesë në këtë
ngjarje.
Kur bëhet fjalë për transformimin, OEMVP është një pionier i provuar në të gjitha vitet e saj
të ekzistencës, dhe nën udhëheqjen tonë ne kemi arritur t’i bindim bizneset në rajon se
është një kohë ideale, në rrethana që na detyrojnë të përshtatemi me realitetin e ri, të
dixhitalizohemi, duke filluar me Panairin Virtual Rajonal, i cili u realizua përmes platformës
dixhitale ZOOM. Panairi në parim synoi sektorët që janë prioritet për projektin e USAID-it
që ne po udhëheqim. Në të morën pjesë kompani nga fusha të ndryshme, ku mbizotëruan
industria ushqimore, ndërtimtaria, TIK, industria krijuese etj. Vlen të përmendet fakti se në
mesin e kompanive ishin shpërndarësit më të mëdhenj në industrinë e ushqimit, të cilët
janë udhëheqës në rajon.
Përveç lidhjes virtuale me partnerët e huaj, kompanitë duhet të realizojnë
bashkëpunim dhe plasman të vërtetë në tregjet e reja. Si mund të realizohet kjo në
kushtet aktuale?
Ne ishim të befasuar pozitivisht nga kreativiteti i kompanive me të cilin ato prezantuan
produktet dhe shërbimet e tyre, përshtatjen e tyre në platformat dixhitale, si dhe
gatishmërinë e tyre për t'u integruar në tregjet e reja, rajonale dhe më gjerë. Siç OEMVP gjeti zgjidhje gjatë pandemisë, me rrugë dhe kufij të mbyllur, për të afruar kompanitë sa më afër, me frymën e njejtë, qeveritë e rajonit duhet të marrin masa për të eleminuar të gjitha pengesat tregtare midis vendeve, dhe të mbështesin mendimin e OEMVP-së se ekonomia duhet të udhëheq dhe përcaktojë politika, veçanërisht në këtë fazë të pandemisë, e cila ka treguar se ndërvarësia e vendeve në rajon është thelbësore.
Rrethanat e reja kërkojnë praktika të reja, një mentalitet të ri të kompanive në mënyrë që
të përshtaten me sfidat e reja. Panairi virtual i organizuar nga OEMVP dhe i mbështetur nga
USAID, tregoi se kompanitë tona janë të gatshme të i përshtaten situatave të reja. Kjo është arsyeja pse adaptimi imponohet si një aftësi me të cilën mbijetohet në realitetin e ri të të bërit biznes. Vetëm të mençurit dhe të guximshmit do ta zotërojnë këtë aftësi dhe vetëm ata do të jenë në gjendje të vazhdojnë udhëtimin e tyre të biznesit.