20 ditët e mandatit

Pra, në këtë rast nga kreu integrist kërkohet të gëlltisë dy kafshata të hidhura: e para, të heqë dorë nga ideja për kryeministër shqiptar; dhe e dyta – ta bëjë kryeministër një politikan që votuesit e tij nuk i vlerëson “as 5 pare”. Nëse Zaev vazhdon të mbetet në këto pozicione, BDI nuk duhet të bëhet pjesë e qeverisë.

Marketing

Autor: Xhelal Neziri

Presidenti Stevo Pendarovski ia ndau mandatin për formimin e qeverisë liderit të LSDM-së Zoran Zaev. Edhe pse nuk i kishte siguruar firmat e 61 nga 120 deputetëve, kreu i social-demokratëve fitoi edhe 20 ditë kohë për të formuar qeverinë.

Neni 90 i Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut nuk e precizon edhe aq qartë se cilit politikan, parti politike apo koalicion presidenti i shtetit duhet t’ia japë mandatin për të krijuar qeverinë e re. “Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut është i detyruar brenda dhjetë ditësh nga konstituimi i Parlamentit t’i besojë mandatin për përbërjen e Qeverisë kandidatit të partisë, respektivisht partive që kanë shumicën në Parlament. Mandatori brenda 20 ditëve nga dita e besimit të mandatit në Parlament paraqet një program dhe propozon përbërjen e Qeverisë. Qeveria, me propozimin e Kryeministrit dhe bazuar në program, zgjidhet Kuvendin me shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve”.

Ashtu siç pritej, në afatin kushtetues 10 ditor pas konstituimit të Parlamentit asnjëri nga liderët apo partitë politike nuk arriti të krijojë shumicë parlamentare. I gjetur në një situatëtë këtillë, Pendarovski veproi si pararendësi i tij Gjorgje Ivanov, duke i dhënë mandatin liderit të koalicionit me më shumë deputetë, por pa shumicë. Para katër vitesh, ish-presidenti Ivanov madje refuzoi t’ia dorëzojë mandatin Zaevit, edhe pse kishte siguruar nënshkrimet e mbi 61 deputetëve. Arsyeja ishte se partia VMRO-DPMNE, asokohe e drejtuar nga Nikolla Gruevski, kishte marrë 51 deputetë, dy më shumë se LSDM e Zaevit. Së këndejmi, interpretimi i Ivanovit ishte se mandati i jepet së pari partisë ose koalicionit fitues, e më pastaj kalon te partia e dytë. Kjo praktikë u kundërshtua ashpër nga LSDM-ja dhe ekspertë të çështjeve juridike, duke e akuzuar Ivanovin se po shkel Kushtetutën e vendit vetëm e vetëm t’i mundësojë Gruevskit ta formojë qeverinë. Por, tash kur Zaev merr mandatin si Gruevski në vitin 2016, debati për këtë temë nuk ka një intensitet të lartë.

Sidoqoftë, Zaev fitoi edhe 20 ditë plotësuese për të formuar qeverinë. Opsionet dihen – me BDI-në apo me ASH/AAA plus 3 deputetë të “transferuar” nga VMRO-DPMNE. Të dyja skenaret nuk janë të lehta. Një pengesë shtesë për koalicionim me partitë shqiptare është mungesa e kërkimfaljes publike nga ana e Zaevit për vlerësimin e tij se “votat e shqiptarëve nuk vlejnë as 5 pare”, i rregjistruar fshehurazi në një bisedë private me të. Ky përgjim, i publikuar gjatë fushatës zgjedhore, nxiti edhe një reagim tjetër emotiv të mandatarit aktual – në një status në Facebook ai tha se votat e BDI-së nuk vlejnë as 5 pare. As 105 mijë votuesve të kësaj partie nuk u ka kërkuar falje publike, edhe pse është në negociata me kreun integrist Ali Ahmeti për të formuar qeverinë.

Përveç heshtjes dhe hezitimit që të kërkojë falje për kualifikimin që u vlerësua si nënçmues për votuesin shqiptar, Zaev nga Ahmeti madje kërkon ta mbështesë pa pranuar që asnjë ditë qeveria të udhëhiqet nga një shqiptar etnik. Pra, në këtë rast nga kreu integrist kërkohet të gëlltisë dy kafshata të hidhura: e para, të heqë dorë nga ideja për kryeministër shqiptar; dhe e dyta – ta bëjë kryeministër një politikan që votuesit e tij nuk i vlerëson “as 5 pare”. Nëse Zaev vazhdon të mbetet në këto pozicione, BDI nuk duhet të bëhet pjesë e qeverisë. Duhet të lihet mandatari që të tentojë të formojë qeverinë me ASH/AAA. Nëse nuk arrin brenda afatit kushtetues, atëherë me mandatarin e radhës procesi i negocimit nis nga fillimi.

Numrat tregojnë se Qeveria e LSDM pa BDI kërkon një “merkato” deputetësh, gjë që do të falsifikonte legalisht legjitimitetin e shumicës së shprehur në zgjedhje. Kjo do të kishte një kosto të lartë për demokracinë, veçanërisht pas “transfertës” së mbi 8 deputetëve opozitarë nga përbërja e kaluar parlamentare. Shitblerja e mandateve i faturohet demokracisë si sistem.

Njëzet ditë kalojnë shpejt. Zaev do të duhet të tregohet fleksibël dhe i arsyeshëm nëse në rend të parë ka interesin shtetëror, marrëdhëniet e mira ndëretnike dhe integrimin e vendit në Bashkimin Evropian (BE). E nëse bëhet kryeministër dhe nuk do që pas një viti të ketë zgjedhje të parakohshme, hapin e parë që duhet ta bëjë është çlirimi nga këshilltarët që e shpien në këtë qorrsokak.