Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), ka njoftuar të hënën, se gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë nga sëmundja COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri, kanë vdekur 9 persona.
Me këtë shifër, numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në 410.
Rastet e para me koronavirusin e ri në Kosovë janë paraqitur në muajin mars.
IKSHPK ka njoftuar se nga testimi i 449 mostrave, pozitivë në koronavirus janë konfirmuar 129 raste, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuave në 11.545.
Të shëruar gjatë 24 orëve janë konfirmuar 152 pacientë. Deri më tani, nga trajtimi që kanë marrë në institucionet shëndetësore janë shëruar 7.343 persona.
Raste aktive aktualisht janë 3.792.
Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka njoftuar se në institucionet publike shëndetësore në Kosovë, aktualisht janë të shtrirë 573 pacientë, prej tyre 441 janë të infektuar me koronavirus dhe po trajtohen në klinika dhe spitale.
Në raportin ditor të SHSKUK-së është thënë se 18 pacientë janë në respiratorë, 22 janë duke u trajtuar me makinat e frymëmarrjes, CPAP, derisa 372 të tjerë janë me oksigjenoterapi.