Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, njoftoi në një dalje për mediat dyfishimin e numrit të testimeve duke nisur nga muaji shtator.
“Duke filluar nga muaji Shtator, kapacitetet e testimit do të rriten me dy herë, duke shtuar ekipet e terrenit, infrastrukturën e nevojshme dhe kapacitetet laboratorike”, tha MInistrja duke sot strategjinë e testimit, gjurimimit dhe kapaciteteve laboratorike për stinën e vjeshtës.
Duke theksuar se që nga fillimi i epidemisë është trefishuar numri i testimeve, Manastirliu tha se po zgjerohen akoma më shumë kapacitetet, duke filluar nga muaji Shtator, ku do të shtohen me 30% edhe stafet e epidemiologëve dhe ndihmës epidemiologëve në terren.
“Po bëjmë çdo përpjekje që kemi në dorë, për tju përgjigjur situatës së pritshme në vjeshtë-dimër. Struktura jonë kombëtare e testimit do të sigurojë që të përballohen kërkesat për testim dhe diagnostikim për qytetarët e dyshuar të prekur nga COVID19. Në kuadër të zgjerimit të mëtejshëm të mbulimit me teste, po punohet që nga Shtatori të realizohet dyfishimi i testimeve”, tha Manastirliu duke shtuar se në këtë kontekst do të kërkohet bashkëpunimi edhe i sektorit privat.
“Pjesë e strategjisë së vjeshtë-dimrit është edhe shumëfishimi i vaksinave falas kundër gripit, për të mbuluar të gjithë grupet e riskuara, të përcaktuara nga ekspertët e ISHP, që nga personeli shëndetësor, tek të moshuarit, edukatorët, arsimtarët, fëmijët 2-5 vjeç, etj, me vaksinën e gripit falas”, tha Manastirliu.
Kujtojmë se rritja e numrit të testimeve është sugjeruar në mënyrë të vazhdueshme edhe nga ana e OBSH si një nga mënyrat efikase të ndërprerjes së zinxhirit të infektimeve.