Partitë kryesore politike të Parlamentit Evropian, në një deklaratë të përbashkët, shpallën sonte presidentin e Bjellorusisë Alexandër Lukashenko person të padëshirueshëm dhe kërkuan zgjedhje të reja të lira në vend.
Deklarata u nënshkrua nga Partia Popullore Evropiane, Evropa e Rinovuar, Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve dhe fraksioni i Gjelbër.
“Zgjedhjet presidenciale të 9 gushtit në Bjellorusi nuk ishin të lira dhe të drejta. Raportet e besueshme vërtetojnë fitoren e Svetlana Tikhanovskaya. Kjo është arsyeja pse ne nuk e njohim Alexander Lukashenko si president të zgjedhur dhe e konsiderojmë person non-grata në Bashkimin Evropian. Ne bashkohemi me popullin bjellorus në kërkesën e tyre për zgjedhje të lira “, thuhet në deklaratë.
Parlamentarët e BE-së i bënë thirrje Rusisë të përmbahet nga ndërhyrja në Bjellorusi. Ata gjithashtu dënuan përdorimin e forcës kundër protestuesve paqësorë dhe bënë thirrje për një hetim urgjent dhe transparent për të gjitha rastet e dhunës ndaj qytetarëve.
“Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të të gjithë atyre që janë ndaluar para dhe pas fushatës zgjedhore”, thuhet në deklaratë.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë ditëve të para pas zgjedhjeve të 9 gushtit, në Bjellorusi u arrestuan mbi 6.700 njerëz.