2932 raste aktive me Covid-19, nisin terminët për kontrolle dhe ndërhyrje

Gjatë disa javëve të fundit në vend shënohen numra treshifrorë të të infektuarve me Covid-19. Edhe krahas masave për mbajtjen e maskës dhe mbajtjen e distancës, si dhe protokollet e vendosura, epidemia nuk qetësohet. Autoritetet shëndetësore porosisin se nuk ja justifikim për mosmbajtje të maskës dhe vazhdimisht bëjnë apel të respektohen të gjitha masat për mbrojtje.

Marketing

Nga 912 testimet e bëra, dje janë regjistruar 103 raste të reja me Covid-19, janë shëruar 187, ndërsa tre persona kanë ndërruar jetë. Deri më tani në vend janë bërë gjithsej 127 196 testime. Nga fillimi i epidemisë janë evidentuar 12840 pozitivë me Covid-19. janë shëruar 9361 persona, ndërsa kanë vdekur është 547.Numri i rasteve aktive për momentin është 2932.

Më shumë raste aktive shënohen në Shkup 253, në Kumanovë 298, në Gostivar 289, në Shtip 260, në Strugë 167, në Tetovë 151, në Kërçovë 126, në Kavadar 103, në Manastir 74, në Dibër 67, në Ohër 66, në Sveti Nikollë 61, në Makedonski Brod 45, në Prilep 40, në Demir Hisar 37, në Vinicë 36, në Koçan 29, në Veles 27, në Strumicë 23, në Probishtip 17, në Gjevgjeli 13, në Negotinë 12, në Radovish 10, në Resnjë shtatë, në Berovë gjashtë , në Kriva Pallankë pesë, në Dellçevë pesë raste, në Pehçevë dy raste, në Vallandovë, Kratovë dhe Krushevë ka nga një rast aktiv.

Në trajtim spitalor për momentin janë 371 persona, prej të cilëve tre në makinë respiratore.

Ndërkohë, pas ndërprerjes disamujore për shkak të krizës së koronairusit, sërish vendoset në funksion sistemi elektronik Termini Im. Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se përmes Termini Im tashmë mund të caktojnë kontrolle dhe ndërhyrje në shtator.

“Sipas planit të përgatitur për punë, ndërsa në bashkëpunim me Drejtorinë për Shëndetësi Elektronike, do të thirren pacientët kontrollimet e të cilëve ishin anuluar gjatë periudhës së kaluar. Gjithashtu, të gjitha programet kirurgjike, të cilat paraprakisht ishin anuluar për shkak të gjendjes me pandeminë nga Covid-19, do të realizohen sipas planeve dhe protokolleve të përgatitura të kolegjiumeve profesioniste, informojnë nga Ministria.

Kontrollimet e caktuara do të realizohen sipas planit dhe protokollit të përgatitur paraprakisht për punë të institucioneve, me shfrytëzim të pajisjeve të detyrueshme të mbrojtjes personale nga personeli i punësuar në të gjitha nivelet e mbrojtjes shëndetësore, respektimin e distancës fizike dhe mosgrupimit.

“Njëherësh, do të bëhet edhe kontrollim i detyrueshëm i rregullt mbi zbatimin e masave parandaluese dhe protokolleve të sjella për punë nga personi i emëruar përgjegjës për kontroll të Covid-19 dhe Komisionit për Mbrojtje nga Infeksione Nosokomiale, me qëllim që të parandalohet transmisioni i infeksionit me virusin. Në institucionin shëndetësor do të lejohet hyrja e personave me udhëzim specialistik dhe subspecialist 15 minuta para terminit të caktuar për kontroll, me çka do të lejohet hyrja vetëm e një shoqëruesi. Është e detyrueshme mbajtja e maskës mbrojtëse të pacientit dhe shoqëruesit gjatë hyrjes në institucion shëndetësor të kontrollit të caktuar ose pranim në mjekim spitalor.

Të gjitha institucionet e shëndetit publik janë të obliguar që të vendosin mjete për dezinfektim të duarve në hyrje të institucionit dhe ato të vendosen në vende që shihen nga pacientët, ndërsa një person përgjegjës i institucionit është i obliguar që të bëjë skrining termal, vlerësim epidemiologjik dhe kontroll të bartjes së maskës mbrojtëse personale të pacientëve, si dhe mbajtje të distancës fizike në vendet e pritjes në ambulanca për kontroll, qëndron në kumtesën e Ministrisë së Shëndetësisë.