Mijëra persona kanë protestuar për të nëntën natë me radhë në kryeqytetin bjellorus, Minsk kundër presidentit të këtij shteti, Alyaksandr Lukashenka, i cili së fundmi ka thënë se është e mundshme mbajtja e zgjedhjeve të reja nëse bëhen ndryshime kushtetuese.
Protestuesit janë mbledhur në Sheshin e Pavarësisë në Minsk, duke valëvitur flamurin e opozitës dhe duke i bërë thirrje Lukashenkas që të japë dorëheqje.
Presioni ndaj liderit 65-vjeçar është rritur pasi atij i është ndërprerë fjala edhe gjatë një fjalimi te fabrika e traktorëve, që dikur është konsideruar shembull i modelit të tij ekonomik.
“Neve na duhet ta miratojmë kushtetutën e re. Duhet ta miratoni atë përmes referendimit, dhe sipas kushtetutës së re mund të mbani nëse dëshironi edhe zgjedhje presidenciale edhe parlamentare, si dhe zgjedhje për autoritetet lokale”, ka thënë Lukashenka të hënën.
Vala e zemërimit është rritur prej kur Komisioni Qendror Zgjedhor ka thënë se Lukashenka, që ka qenë në pushtet nga viti 1994, ka fituar 80.1 për qind të votave, për dallim nga kandidatja e opozitës, Svetlana Tikhanovskaya 10.12 për qind.
Tikhanovskaya, që është larguar drejt Lituanisë pasi ka kundërshtuar publikisht rezultatet, insiston se nëse votat do të numëroheshin si duhet, ajo do të fitonte 60 deri në 70 për qind të përkrahjes qytetare.
Përmes një video-mesazhi të publikuar të hënën, ajo ka thënë se është e gatshme të bëhet “lidere kombëtare” në mënyrë që të kthejë qetësinë dhe normalitetin, duke liruar të burgosurit politikë, dhe duke nisur përgatitjet për zgjedhje të reja.