Qeveria e re, sot pritet publikimi i emrave të ministrave

LSDM-ja dhe BDI-ja arritën marrëveshje koalicioni për Qeverinë e re që do të udhëhiqet nga lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, me mandat 4 vjeçar. Zaev paralajmëroi se do të shfuqizohet Qeveria e Përzhinos dhe se në vend të saj në 100 ditët e fundit Qeverinë do ta udhëheq një kryeministër tjetër i propozuar nga BDI-ja.

Marketing

Nuk shpalosën detaje rreth ndarjes së resoreve, duke thënë se emrat e ministrave të rinj do të mësohen pasi të konfirmohen në organet partiake, nga dita e sotme. Konfirmuan vetëm se kryetari i deritanishëm i Kuvendit, Talat Xhaferi, sipas marrëveshjes, do të mbetet në krye të ligjvënësit edhe 4 vitet e ardhshme.

Mandatari Zaev tha se nuk do të ketë ministra pa resorë, me përjashtim të zv. kryeministrave, paralajmëroi zvogëlim të privilegjeve të funksionarëve, zvogëlim për 20% të numrit të administratorëve, sistemim të administratorëve që marrin paga por qëndrojnë në shtëpi, luftë kundër korrupsionit, veting për politikanët dhe pastrim në gjyqësor. Tha se prioritet i Qeverisë së ardhshme do të jetë lufta ndaj Koronavirusit dhe zhvillimi ekonomik i vendit.

Pjesë e Qeverisë së re do të jetë edhe PDSH-ja, lideri i së cilës, Menduh Thaçi është i vetmi deputet nga radhët e partisë në këtë përbërje parlamentare.