Ministrja e Arsimit e Shqipërisë, Besa Shahini ka zbuluar vendimin e qeverisë për hapjen e shkollave në shtator, duke përjashtuar kështu mësimin online.
Në një komunikim në Facebook, me ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, Shahini tha se kanë skenarë të ndryshëm për mënyrën se si do të funksionojë mësimi.
Ministrja tha se ka shkolla që mësimi mund të zhvillohet normalisht, pasi kanë pak nxënës. Ndërsa shtoi se ka edhe shkolla me numër të madh nxënësish, të cilët duhet të ndahen me turne.
Po ashtu ministrja tha se bashkitë do të duhet të fillojnë me pastrimin e shkollave. Më tej ajo ka shtuar, se 87% e nxënësve duan të kthehen në shkolla.
“Skenarët janë të ndryshëm në varësi të numrit të nxënësve. Ka shkolla që mund të vazhdojnë mësimin normalisht se kanë pak nxënës. Ka shkolla që kanë numër të madh nxënësish që duhet të organizohen në një formë tjetër. Duke i ndarë ose në më shumë turne ose duke i çuar disa nxënës te shkollat më të afërta. Ne kemi bërë një pilotim. Mund të ruajmë shëndetin duke i hapur shkollat me shumë sukses. Kemi parë edhe modelet e vendeve të huaja. Bashkitë do të duhet të fillojnë pastrimin shkollave”, u shpreh ministrja.