Publicisti Veton Surroi flet në superlativ për Kryeministrin shqiptar prej 100 ditësh në Maqedoninë e Veriut.
Formulimi i kësaj fjalie tingëllonte si një pikë e lartë e fushatës zgjedhore, ndërsa tash pas zgjedhjeve dhe ndërsa zhvillohen bisedat për koalicione me mandatarin, kryeministrin e deritanishëm Zaev, duket si një pozicion i fortë negociator. Në rrethana të bashkimit politik të shqiptarëve, gjasat nuk do të ishin të vogla, në fakt, që Maqedonia e Veriut të kishte një kryeministër shqiptar dhe jodomodoshmërisht nga partitë shqiptare. Në bisedimet mes Z.Zaev dhe A.Ahmetit, dhe përkundër mosbashkimit të faktorit shqiptar, megjithatë, u gjet një formulë që në njëqind ditët e fundit të Qeverisë që po formohet, kryeministri të jetë i propozuar nga BDI-ja, pra nëse propozohet si i tillë, të jetë shqiptar.
Është një ngjarje e madhe për t’u shënuar. Para dyzet vjetësh, kushdo të kishte folur publikisht për nevojën që kryeministri i Maqedonisë të ishte shqiptar, do të shkonte drejt në burg si nxitës i nacionalizmit shqiptar. Para tridhjetë vjetësh, do të akuzohej se po do t’ia fusë thikën Maqedonisë në kohën kur po zhbëhet Jugosllavia. Para njëzet vjetësh, do të merrte përgjigje se Maqedonia duhet të ndahet në pjesë shqiptare e maqedonase dhe pastaj shqiptarët le ta bëjnë kryeministrin në territorin e vet mes Tetovës e Gostivarit, e maqedonasit do ta kishin të vetin. Para dhjetë vjetësh, nga partitë me shumicë maqedonase sërish do të ngrihej zëri për ‘projektin shqiptaromadh’. Sivjet ishte temë bisede mes partive politike dhe objekt marrëveshjeje.
Formulimi i fjalisë se ‘Kryeministri i ri i Maqedonisë së Veriut duhet të jetë shqiptar’ ka gjetur kundërshtarë të natyrshëm. Kundërshtari i njërit pol është logjika e thjeshtë: pse jo të jetë një person i aftë, pse duhet të përcaktohet nacionaliteti? Kundërshtari i polit krejtësisht tjetër pastaj është: pse duhet të jetë shqiptar, kur shumica në shtet nuk është shqiptare?.
Pjesë nga një shkrim më i plotë i Publicistit Veton Surroi me titull “Katër kriza dhe një përgjigje shqiptare në Maqedoninë e Veriut”.