Pas pothuajse dy orë ka përfunduar mbledhja e sontme e Këshillit qendror të LSDM-së. Partia i ka definuar zgjidhjet kadrovike të cilët do të jenë pjesë e qeverisë së re.
Siç ka njoftuar kryetari i LSDM-së, njëherësh kryeministër i ardhshëm, Zoran Zaev pas përfundimit të mbledhjes, ministër për Punëë të Brendshme do të jetë Oliver Spasovski, për Mbrojtje Radmilla Shekerinska, ndërsa për Drejtësi Bojan Mariçiq. Bllagoj Boçvarski do të udhëheq me Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve, Jagoda Shahpaska me dikasterin e Punës dhe Politikës Sociale, ndërsa Irena Stefkovska do të jetë ministre e re e Kulturës. Venko Filipçe mbetet ministër i Shëndetësisë, zëvendëskryeministrja Milla Carovska do të udhëheq me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, ndërsa shefi i deritashëm i diplomacisë Nikolla Dimitrov do të jetë zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane. Fatmir Bytyqi do të jetë zëvendëskryeministër për Çështje Ekonomike, ndërsa Lupço Nikollovski zëvendëskryeministër për luftën kundër korrupsionit. Ministri për Pushtet lokal do të bëhet i ditur në mënyrë shtesë.
Zaevi ka thënë se bëhet fjalë për kuadro të përgjegjshëm, llogaridhënës dhe të përkushtuar të cilët në mandatin e plotë katërvjeçar tërësisht do të realizojnë programin dhe parimet.
Në qeverinë e re, tha ai, në vend 26 si deri tani, do të ketë 19 ministri ose shtatë më pak.
Sipas Zaevit, LSDM në Këshillin qendror ka konstatuar se kanë fituar politikat e drejta dhe parimore që vendin e çojnë përpara.
Prioritete të qeverisë së re, ka shtuar Zaev, do të jenë ekonomia, reformat gjyqësore, projektet kapitale infrastrukturore, mjedisi jetësor dhe investimi në shëndetësi. Vazhdon implementimi i marrëveshjeve me Greqinë dhe asaj të Prespës si dhe Marrëveshja e Ohrit.
“Kishim guximin e mjaftueshëm unë dhe Ahmeti dhe LSDM e BDI të dakordohemi që unë ta udhëheq qeverinë katër vjet, ndërsa njëqind ditët e fundit kryeministër të jetë me propozim të BDI-së me ujdi të përbashkët. Shumica parlamentare do ta respektojë frymën e punës së përbashkët e cila nënkupton konstruktivitet, dialog, respektim të mendimit ndryshe të bazuar në argumente dhe ndërtim të demokracisë konsensuale në vend të paralelizmave, etnocentrizmit dhe mbivotimit. LSDM dhe BDI veçmë i harmonizojnë platformat e tyre zgjedhore në programin e përbashkët qeveritar katërvjeçar”, ka thënë Zaev.
Para kësaj, BDI shpalosi emrat e kandidatëve të tyre për ministra në Qeverinë e re. Siç njoftoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti pas mbledhjes së Kryesisë qendrore të partisë që u mbajt në Tetovë, Artan Grubi do të jetë zëvendëskryeministër i parë dhe ministër për Sistem Politik, Fatmir Besimi do të udhëheq me dikasterin e Financave, Bujar Osmani ministër për Punë të Jashtme, Kreshnik Bekteshi në Ministrinë e Ekonomisë, ndërsa Naser Nuredini në Mjedisin Jetësor.
Mbetet, siç ka thënë Ahmeti me partnerët e koalicionit të merren vesh për ministrin e Ministrisë së Shoqërisë Informatike, ndërsa nesër do të zgjidhet kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
E sigurt është se Lëvizja Besa do të udhëheq me dikasterin e Bujqësisë, por se kush do të jetë ministër do të dihet pas mbledhjes së Këshillit Qendror të partisë. Siç deklaroi lideri i kësaj partie Bilall Kasami, pas takimit të kryetarëve të partive nga koalicioni “Mundemi” me kryetarin e LSDM-së, Zoran Zaev, Besa do të jetë pjesë edhe e eshalonëve të tjerë të pushtetit dhe do të ketë zëvendësministra dhe drejtorë të institucioneve.
Ndryshe, Zaevi e mori mandatin për formimin e qeverisë së re të enjten e javës së kaluar, ndërsa iu nda nga ana e presidentit të shtetit, Stevo Pendarovski.