Shtyhet samiti i Forumit Ekonomik Botëror në Davos

Samiti i Forumit Ekonomik Botëror, i paraparë të mbahet në Davos të Zvicrës në muajin janar, u shty për verën e vitit të ardhshëm, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Marketing

“Këshilla e ekspertëve është se ne nuk mund ta mbajmë [samitin] në mënyrë të sigurt në janar”, tha përmes një deklarate Forumi Ekonomik Botëror.

Samiti, që mbledh udhëheqës të shteteve të botës, mbahet çdo vit në Davos, qysh më 1971.

Forumi Ekonomik Botëror e portretizon veten si adresën kryesore për mbledhjen e elitës politike dhe biznesore, me qëllim diskutimin e sfidave të globalizmit.

Grupi tha se vendimi për të shtyrë samitin “nuk është marrë me lehtësi, pasi nevoja që liderët globalë të mblidhen dhe të hartojnë shtegun e rimëkëmbjes” nga pandemia e koronavirusit, është “shumë urgjente”.

Forumi Ekonomik Botëror tha se do t’i bëjë publike datat dhe lokacionin e takimit të shtyrë pasi të krijohen kushtet e shëndetit dhe të sigurisë.