Akuza nga SPAK, pranga drejtorit të tatimeve dhe specialistit në Korçë

Policia e Korçës ka njoftuar arrestimin e Drejtorit të Tatimeve dhe një specialist të regjistrimit në kuadër të operacionit të  koduar “Tatimi”, nën drejtimin e SPAK-ut.

Marketing

Sipas policisë këta dy persona janë vënë në pranga të akuzuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Të ndalurit janë:  Th. T., 58 vjeç, banues në Korçë, me detyrë Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Korçë dhe S. B., 39 vjeç, banues në Korçë, me detyrë specialist i regjistrimit pranë Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Korçë.

“Për këta shtetas, Gjykata e Posaçme e Shkallës të Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, bazuar në provat e sigurura gjatë hetimit nga ana e Sektorit për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë nën drejtimin e Prokurorit të SPAK, ka vendosur masën e sigursë “Arrest në burg” për dy shtetasit e mësipërm.  Hetimet për këtë procedim penal janë kryer nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Korçë, intesivisht për një muaj nën drejtimin e Prokurorit të çështjes dhe gjatë finalizimit të operacionit, janë gjetur dhe sekuestruar një sasi vlere monetare dhe dokumentacion që vërteton implikimin e dy punonjësve në veprimtari korruptive. Këta shtetas kundrejt rryshfetit i kanë premtuar disa subjekteve për të mos ushtruar kontroll të thelluar për konstatimin e shkeljeve apo shmangieve të detyrimeve tatimore”, njofton policia.

Nën drejtimin e SPAK, vijonë hetimet për evidentimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari korruptive.