“Brez pas brezi”, edicioni i tretë i Festivalit Folklorik për Fëmijë

Në Ditën Ndërkombëtare të Vallëzimit, Ansambli “Ilirida” mbrëmë në Sheshin “Skënderbeu” në Shkup organizoi edicionin e Festivalit të tretë folklorik të valleve për fëmijë “Brez pas Brezi”.
Drejtuesi i këtij ansambli, Ilir Loku, tha se për shkak të pandemisë, festivali nuk u mbajt më 29 prill kur është Dita Ndërkombëtare e Vallëzimit, por u detyruan ta shtyjnë tani kur situata është pak më e qetë. Festivalin e mbajtëm për t’u sjellë lumturi fëmijëve, sqaron Loku për TVM2.
“Duke e parë situatën e pandemisë që ka kapluar gjithë globin, ne nuk kemi mundur ta organizojmë, siç e do tradita e zakoni, më 29 prill, e vetmja arsye që këtë festival, për ta realizuar është i vetmi qëllim për t’ua sjellë lumturinë fëmijëve.”,- deklaroi drejtori i Ansamblit “Ilirida”, Ilir Loku.
Edhe ata që e mbështetën financiarisht këtë projekt, thanë se kultura duhet përkrahur, por sidomos duhen përkrahur fëmijët në talentet e tyre.
“Projekte të tilla të cilat i ruajnë dhe i mbrojnë vlerat tona të vërteta dhe të mirëfillta duhet të kujdesemi dhe t’i mbështesim edhe materialisht.”,- tha përfaqësuesi i Ministrisë së Kulturës, Faton Fazliu.
“Nëse ekziston diçka që fuqishëm na bashkon, ajo padyshim është kultura, pikërisht rruga më e mirë është emancipimi i të rinjve në frymën e kulturës tonë ndërvite. Kemi çfarë t’ju flasim atyre për historinë tonë, për kulturën tonë.”,- u shpreh zëdhënësi i komunës së Çairit, Kushtim Alla.
Me vëmendje këtë festival e ndoqi edhe drejtori i Ansamblit Kombëtar të Këngëve e Valleve Shqipe, Shkodran Tolaj. Inkurajoi të gjithë të investojnë tek gjeneratat e reja, që nesër pse jo, do të jenë pjesë e Ansamblit Shtetëror.
“Si artist i skenave shqiptare, në këtë shesh kemi obligim që të japim kontributin tonë secili, kemi amanetin e Skënderbeut dhe të gjithë dëshmorëve që na obligojnë të përcjellim brez pas brezi ndjenjën e dashurisë.”,- u shpreh drejtori i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Shqipe, Shkodran Tolaj.
Në festival morën pjesë valltarët e vegjël të Ansamblit “Ilirida”,  Shoqërisë kulturore Artistike “Shqiponja, SHKA “Duflla” dhe nga SHKA  “Drita e Dervenit”. Për të gjithë u ndanë edhe mirënjohje.
Marketing