Kryediplomatët shqiptarë në Ballkan, faktorzimi që duhet të ndodhë pas 2001-shit

Për herë të parë shqiptarët në skenën ndërkombëtare do të përfaqësohen nga tre ministra të jashtëm shqiptar një arritje e madhe kjo e diplomacisë shqiptare. Njohësit e zhvillimeve ndërkombëtare vlerësojnë se roli i tyre në integrimin ndër-shqiptar dhe atë evropian padyshim se do të jetë shumë i rëndësishëm dhe vendimtar në shumë çështje. Sipas tyre, Maqedonia dhe Shqipëria si dy anëtare të NATO-s në rrafshin e integrimit evropian duke shfrytëzuar potencialin e ministrave të jashtëm Caka dhe Osmani, do ta ndihmojë Kosovën që të jetë e pranishme në të gjitha agjendat ndërkombëtare duke ruajtur të paprekshëm çështjen e kufirit të vendeve ballkanike.

Marketing

Moment historik për tre shtetet e Ballkanit Perëndimor

Ish-shefi i diplomacisë së Shqipërisë, Edmond Panariti thotë se kemi të bëjmë me një moment historik, për tre shtetet e Ballkanit Perëndimor që krye diplomatët e tyre janë të kombësisë shqiptare. “Ky fakt mund të shërbejë si një ‘katalizator’ i nismave rajonale të bashkëpunimit midis vendeve dhe posaçërisht për etninë tonë shqiptare do të ishte një rast i shkëlqyer për të demonstruar rolin e saj në farkëtimin e lidhjeve dhe ndërtimin e urave të miqësisë midis popujve dhe qeverive të rajonit. Padyshim që kjo do të shihej shumë pozitivisht edhe në Bruksel dhe pavarësisht se integrimi Evropian e tre vendeve tona varet nga kritere, kushte dhe standarde të cilat nuk lidhen me kontributet të kombësive të veçanta, trio shqiptare e diplomacisë së kësaj pjese të Ballkanit mund të luajë një rol specifik dhe unike”, deklaroi për KOHA, Panariti.

Gazetari, Berat Azizi thotë se Maqedonia dhe Shqipëria si dy anëtare të NATO-s në rrafshin e integrimit evropian duke shfrytëzuar potencialin e ministrave të jashtëm Caka dhe Osmani, do ta ndihmojë Kosovën që të jetë e pranishme në të gjitha agjendat ndërkombëtare duke ruajtur të paprekshëm çështjen e kufirit të vendeve ballkanike. “Po ashtu ata do të mund të bëjnë presion tek vendet e BE-së që Kosova të futet në listën e shteteve që lëvizin lirshëm pa viza drejt të gjitha vendeve të BE dhe këtë me siguri se do të mund ta bëjnë pasi janë dy vende të cilat pritet të hapin negociatat për anëtarësim në BE. Trekëndëshi Tiranë- Prishtinë dhe Shkup, do ta diktojë politikën e jashtme të Ballkanit sidomos tani në kohën kur kemi konferencat e para të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE dhe procesin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Lobimi që mund të bëjnë tre ministrat e jashtëm shqiptar në qarqet evropiane dhe ato amerikane mund të ndikojë në procesin final të anëtarësimit në BE dhe të përfundimit të dialogut Kosovë Serbi”, thekson Azizi.

Në anën tjetër, shton më tej Azizi, roli i integrimit ndër shqiptar do të varet nga integrimi evropian, dhe nga ndërtimi i politikave të përbashkëta të të tre qeverive. “Nëse kemi një platformë të përbashkët integruese atëherë integrimi ndër shqiptar do të mund të realizohet pa ndonjë vonesë të theksuar. Unë besoj se integrimi ndër shqiptar tashmë po ndodh sidomos me koordinimin e përbashkët të tre ministrave të jashtëm dhe zhvillime tjera që pritet të ndodhin në Ballkan në sferën politike, ekonomike, lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe mallrave. Edhe pse dihet se roli i diplomatëve shqiptar është të mbrojnë interesat e shteteve të tyre, ato e kanë me patjetër të koordinojnë politikat e tyre sepse të gjitha janë në një proces shumë të rëndësishëm atë të integrimi ndër shqiptar dhe integrimit në BE. Pra politika e jashtme e këtyre tre vendeve nuk ndryshon aspak nga njëra tjetra, por vetëm mund të mbështesin njëri tjetrin para diplomatëve të huaj të cilët kohët e fundit më shumë shikojnë nga prizmi ekonomik se sa ai demokratik. Veprimi i përbashkët i tre diplomatëve shqiptar do të detyrojë qeveritë e tre shteteve të hartojnë një politikë dhe një platformë të përbashkët politike, ekonomike dhe euro-integruese që një herë e përgjithmonë të zgjidhen të gjitha çështjet”, nënvizon Azizi.

Faktorizimi në rritje i shqiptarëve

Ish-deputeti, gazetari nga Tirana Alfred Peza thekson se roli dhe pesha e faktorit shqiptar në Ballkan, pas çlirimit e pavarësisë së Kosovës dhe zhvillimeve të 2001 në Maqedoni, ka ndjekur një trend rritje të pandalshme. “Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, ishte qershia mbi tortën e procesit të rifaktorizimit rajonal të shqiptareve në epokën post ideologjike. Lajmi i mirë gjatë këtij viti, ka qenë kryesimi i radhës i OSBE nga Shqipëria dhe Kryeministri Edi Rama që është njëkohësisht edhe ministër i Jashtëm. Ne trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Shkup për herë të parë në histori, politika e jashtme e tri shteteve të Ballkanit, do të drejtohet nga ministrat shqiptar. Është një lajm sa i mirë aq edhe një përgjegjësi e jashtëzakonshme. Kemi përpara procesin e bisedimeve Kosove-Serbi, por edhe mbajtjes se konferencave të para për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE, pas çeljes së negociatave në mars 2020. Jemi përpara një kufiri të ri të së ardhmes se shqiptareve por edhe te rajonit. BE e pas Covid-19, ashtu si e gjithë bota, nuk do jetë me si me parë. Integrimi i plotë evropian i shqiptarëve, do të ndodhë vetëm pasi shqiptarët të jenë integruar më parë, në gjithë hapësirën ku jetojnë sot në Ballkan”, shprehet Peza.

Ai potencon se shfrytëzimi i katër lirive evropiane: lëvizjes se njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve në këtë hapësire do të ishte hapi i parë konkret drejt qëllimit final. “Ndërsa bashkimi i faktorit politik shqiptar ne Maqedoninë e Veriut ne kushtet kur ne 100 ditët e fundit të mandatit të qeverisë së re Zaev, Kryeministri kujdestar do te jetë shqiptar, rrit me shumë se kurrë shanset reale, për një kryeministër shqiptar me mandat të plotë 4 vjeçar, në zgjedhjet e ardhshme. Ky po, që do të ishte realisht një zhvillim historik, që do ta ridimenziononte cilësisht ndryshe, peshën e faktorit shqiptar ne Ballkan. Uroj qe me betimin e ministrit te Jashtëm shqiptar në Shkup, të ecim me shpejt, drejt sfidave të përbashkëta të së ardhmes”, potencon Peza.

Ndryshe, mandatari për kryeministër, Zoran Zaev tanimë i ka dorëzuar në Parlament propozimin për Qeverinë e re për mandate 4 vjeçar, e cila siç theksoi është e vendosur të luftojë pa kompromis krimin dhe korrupsionin, të bëjë pastrim të thellë në gjyqësor, të përmirësojë marrëdhëniet fqinjësore duke i realizuar marrëveshjet me Bullgarinë dhe Greqinë si dhe të forcojë edhe më shumë marrëdhëniet mes qytetarëve. Zaev po ashtu tha se shkaku i pandemisë, COVID 19 ekzekutivi do të punojë edhe për përmirësimin e kushteve në shëndetin publik. Paralajmëroi përmirësim të ekonomisë e arsimit, duke theksuar se Qeveria e re do të fokusohet në punën në shtëpi, duke qenë njëkohësisht sa më të përgatitur për anëtarësim në BE dhe për të qenë anëtare e denjë e NATO-s. Pos listës tashmë të njohur të ministrave, për ministër të Shoqërisë Informatike dhe Administratës propozohet Jeton Shaqiri, propozim ky i BDI-së. Zaev ftoi deputetët që të njoftohen me kuadrot e Qeverisë së re, sipas tij, të përshtatshme dhe me programin e ekzekutivit të ardhshëm dhe ditëve të ardhshme ta votojnë të njëjtën. Sipas akteve ligjore, votimi i Qeverisë së re në Kuvend mund të caktohet më së voni në afat prej 15 ditësh nga dita e dorëzimit të propozimit nga mandatari për kryeministër. Ndërkaq seanca për votimin e Qeverisë mund të zgjasë maksimumi dy ditë. (koha.mk)