Zbardhja e fatit të personave të pagjetur, shpresë vetëm te ndërkombëtarët

Çështja e personave të pagjetur, një prej më të ndjeshmeve në dy dekadat e fundit në Kosovë, vazhdon të jetë në udhëkryq. Ngecja e këtij procesi dëshmon se fati i mbi 1600 personave të pagjetur është vetëm brengë e familjarëve të cilët insistojnë që institucionet e Kosovës të kërkojnë nga ndërkombëtarët që të bëjnë më shumë presion mbi Serbinë, meqë kjo e fundit është në dijeni të lokacioneve të varrezave masive.

Marketing

Institucionet që merren drejtpërdrejtë me çështjen e personave të pagjetur dhe përfaqësues të familjarëve që janë në kërkim të më të dashurve të tyre, konsiderojnë se adresa për zgjidhje është Beogradi, që sipas tyre, nuk po bashkëpunon në dhënien e informatave për lokacionet.

“Sa i përket procesit të të zhdukurve, adresa është Beogradi sepse të gjithë trupat i ka marrë të gjallë, dhe të gjallë janë diku në Serbi. Për ne si këshill koordinues, si familjarë është e mirë të dimë rrugëtimin e tyre, vendndodhjen e tyre dhe përfundimin e tyre. Këtë më së miri e di vet pushteti okupues serb”, thotë Ahmet Grajçevci, kryetar i Këshillit koordinues i Asociacioneve të familjarëve të personave të pagjetur.

E Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur thotë se ky proces po përballet me sfidën e mungesës së informacioneve të besueshme. Sipas tij, kjo lidhet me mungesën e bashkëpunimit nga pala serbe për të hapur arkivat dhe për t’i ndarë informatat me institucionet e Kosovës.

“Shqetësuese çështja apo lokacionet në territorin e Serbisë, po flas për lokacionet tanimë të shënjuara, ne presim shumë shpejtë, në bazë të diskutimeve që kemi pasur dhe takimeve, që së shpejti të rikthehemi në lokacionin në Kizhevak, në regjionin e Rashkës… në bazë të dokumenteve që i kemi siguruar nga arkivat ndërkombëtare, në këtë rast po flasim edhe për disa imazhe satelitore, mbi bazën e këtyre imazheve është arritur të lokalizohet një hapësirë brenda këtij lokacioni”, thotë ai.

Sipas Garës, Serbia i jep informatat vetëm pas një presioni ndërkombëtar.

“Përvoja e deritanishme, në katër lokacione që janë hapur deri tani në territorin e Serbisë, Batajnicë, Petrovosello, Rudnicë të Rashkës, ka konfirmuar se vetëm me një presion të bashkësisë ndërkombëtare Serbia mund të jetë më e gatshme të ofrojë informatat mbi të cilat ne do të mund do të mund të mësonin fatin dhe vendndodhjen e 1640 personave që vazhdojnë të jenë të zhdukur”, thotë ai.

Shpresë të ndërkombëtarët sheh edhe Grajçevci, por sipas tij, edhe ndërkombëtarët po e lënë anash çështjen e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur në Kosovë.

“Bashkësia ndërkombëtare sikur e ka neglizhuar këtë proces, sepse bashkësia ndërkombëtare është ajo që mund të bëjë presion mbi palën serbe dhe t’i gjejnë se ku janë, ndërsa kur është për Kosovën për t’i bërë presion ne jemi të gatshëm për presionet e bashkësisë ndërkombëtare, ndërsa Serbia si duket nuk i dëgjon. Bashkësia ndërkombëtare shumë më herët ka mundur të zgjidhë këtë problem”, thotë Grajçevci.

Më 16 korrik, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka takuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, për të cilin Hoti kishte deklaruar se është diskutuar për të pagjeturit dhe çështjet ekonomike.

Pas kësaj, Hoti kishte deklaruar se parimet për çështjen e të pagjeturve janë në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar humanitar: të zgjidhet çështja e të pagjeturve, duke ofruar të gjitha informacionet për të pagjeturit; sjellja e drejtësisë në vend, dhe kujdesi për familjet e viktimave.

Por deputetja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, që është edhe pjesë e komisionit parlamentar për të pagjeturit, thotë se Kosova në asnjë mënyrë nuk duhet të negociojë me Serbinë në mënyrë të barabartë për këtë çështje, meqë siç thekson ajo, Serbia ka qenë agresori.

“Në kohët e fundit është përmendur që do të flitet për çështjen e personave të pagjetur por ajo nuk mjafton, mendoj që është goxha vonë dhe nuk e di sa do të merret seriozisht kjo çështje, dhe tjetra, nuk mund të ulesh me Serbinë vetëm me thënë që ‘po, po flasim për çështjen e personave të pagjetur’, Kosova duhet të ketë agjendë dhe kërkesa specifike rreth kësaj çështje. Kosova nuk guxon të negociojë rreth çështjes së personave të pagjetur në formë të barabartë me Serbinë, duhet ta mendojmë që Serbia ka qenë agresori, është shteti që duhet të jap përgjegjësi, që i ka informatat që duhet t’i ndajë me ne”, thotë Bogujevci.

Duke thënë se dialogu me Serbinë është dashur të kushtëzohet me çështjen e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur, ajo shton se ka munguar lobimi i Kosovës të ndërkombëtarët për t’i bërë presion Serbinë në këtë çështje.

“Njërën prej gjërave që ka mundur shteti të bëjë është për mënyrën se si është bërë dialogu deri më tani me Serbinë, është dashur të lobohet shumë me ndërkombëtarët që të shtyjë Serbinë për të dhënë informata rreth fatit të personave të pagjetur në Kosovë”, thotë ajo.

Ndërsa sipas Latfi Mehmetit, kryetar i Shoqatës për Persona të Zhdukur “Përkorë”, tash e dy dekada çështja e të pagjeturve në Kosovë nuk është marrë seriozisht.

“Nëse bëhet një marrëveshje finale, pikë e parë e marrëveshjes finale duhet të jetë zbardhja e fatit të personave të zhdukur dhe kompensimi i dëmeve të luftës”, thotë ai.

Të pakënaqur me punën e institucioneve, vendore e ndërkombëtare janë edhe në Këshillit për Liritë dhe Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.

“Është e drejtë elementare e të gjithë familjarëve që të kenë informata te sakta mbi vend-ndodhjen e gjithë familjarëve që rezultojnë si të zhdukur… Për KLMDNJ-në është e papranueshme të mos ketë angazhime serioze të institucioneve të Kosovës për të zbardhur fatin e të pagjeturve. Ne kemi rekomanduar disa herë që çështja e të pagjeturve të bëhet pjesë e bisedimeve dhe të jetë çështje e bisedave në instancat më të lartë të institucioneve të Kosovës me palën serbe. Andaj është domosdoshmëri që më në fund të përfundojë ankthi i të gjitha atyre familjeve që presin informatat e sakta për vendndodhjen e tyre”, thotë Valentina Demolli nga ky këshill.

Situata e krijuar me pandeminë COVID-19 ka ndikuar edhe në punën e Komisionit qeveritar për Persona të Pagjetur, megjithatë aty thonë se këtë periudhë e kanë shfrytëzuar për të bërë kërkime në dokumentacione.

Gjatë kësaj periudhe janë realizuar gërmime në dy lokacione, në fshatin Polanë të Istogut dhe të varrezat myslimane në Mitrovicë të Veriut. Në këtë të fundit gërmimet pritet të kthehen javën e ardhshme ku edhe shpresohet të ketë ndonjë rezultat.

Pas Mitrovicës, gërmimet do të vazhdojnë edhe në lokacione të tjera, por në takimet me palën serbe, është kërkuar që të gërmohet edhe në disa lokacione të reja në territorin e Serbisë, përveç në regjionin e Rashkës.

Gjithashtu Kosova ka kërkuar të shqyrtohen mundësitë për t’u kthyer në disa lokacione të Serbisë që kishin rezultuar me gjetje pas luftës siç është rasti i Batajnicës dhe në disa lokacione ku gërmimet nuk kanë përfunduar, ani pse nga pala serbe janë paraqitur si të mbyllura, këtë nuk e ka pranuar delegacioni i Kosovës.

Në Kosovë vazhdon të mos dihet për fatin e mbi 1600 personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.