​Shtatori rikthen mbledhjet e qeverive shqiptare, kërkohet zbatimi konkret i marrëveshjeve

Pas dy viteve mungesë, në javën e tretë të shtatorit do të mblidhen qeveritë e dy shteteve shqiptare në Shkodër.

Marketing

Kosova dhe Shqipëria pritet të nënshkruajnë disa marrëveshje të përbashkëta. E nga tri prej tyre vendi ynë mund të përfitojë mjaft shumë nëse zbatohen në praktikë. Dogana e Kosovës në Durrës, hidrocentrali në territorin shqiptar dhe linja hekurudhore po vlerësohen si të dobishme për dy vendet shqipfolëse.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, njëherësh koordinatorja për mbledhjet e dy qeverive, Albulena Balaj-Halimaj thotë për KosovaPress se marrëveshjet që do të nënshkruhen do të jenë në interes të dy palëve.

E zbatim konkret të këtyre marrëveshjeve po kërkojnë njohësit e fushës së ekonomisë në Kosovë.

Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës thotë se këto projekte të përbashkëta do ta lehtësojnë̈ qarkullimin e qytetarëve, mallrave si dhe do të rrisin profitet e bizneseve.

Po ashtu, ai thekson se duhet kombinuar resurset energjetike mes të dy vendeve.

Ndërkaq, profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku vlerëson se fuqizimi i lidhjes energjetike Shqipëri-Kosovë është shumë i rëndësishëm.

Kosova dhe Shqipëria edhe në të kaluarën kanë mbajtur mbledhje të përbashkëta ku janë nënshkruar dhjetëra marrëveshje, megjithëkëtë disa prej tyre nuk kanë gjetur zbatim konkret në të dy vendet.