Shoqata „Fortesa” nga Kercova edhe në këto kushte të përballjes me pandeminë globale, e realizoi me sukses manifestimin kulturor „Dasma tradicionale e shqiptarëve të Kërçovës”, një eveniment tashmë tradicional që zhvillohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe komunës së Kërçovës.
Në oborrin e dy shtëpive të vjetra në fshatin Greshnicë të Kërçovës u mbajtë edicioni i gjashtë i manifestimit „Dasma tradicionale e shqiptarëve të Kërçovës”. Duke respektuar masat preventive në kushtet e pandemisë globale, Shoqata Fortesa edhe sivjet në ambiente autentike, shpalosi traditat e moçme të organizimit të dasmës kërçovare, si një pasuri shumë e çmueshme kombëtare, e cila kohët e fundit është zbehur dukshëm nga trendet e zhvillimit modern .
Me këtë rast u prezentuan këngët e melosit burimor dhe vallet popullore, kostumografia e rrethit të Kërçovës dhe gatimet tradicionale të kësaj ane, që janë pjesë e ritualeve të dasmës kërçovare. Përmes këngëve të melosit burimor dhe këngëve lirike të grave, japen mesazhe për nusen e dhëndrrin, për krushqit dhe të afërmit e nuses dhe të dhëndrrit.
Për këto vlera të trashëgimisë tonë kulturore, për rëndësinë etnografike, specifikat dhe kultivimin e tyre si thesar që duhet përcjellë tek gjeneratat e reja, folën dy njohësit e folklorit Nexhat Mehmedi dhe Sami Dalipi.
Ky projekt i shoqatës “Fortesa” që ngërthen vlerat e trashëgimisë tonë kulturore, është financuar nga Ministria e Kulturës dhe komuna e Kërçovës.