Misioni i sportit është të bashkojë njerëz e popuj anembanë botës, ndërsa një gjë të tillë po bën edhe basketbolli me Shqipërinë e Kosovën, dy shtete të të njëjtit komb, që kanë hedhur një tjetër hap drejt ribashkimit.
Kështu është arritur marrëveshja për krijimin e Ligës Unike, një kampionat ku do të marrin pjesë 4 skuadrat më të mirë të basketbollit në Kosovë dhe 4 më të mirat e këtij sporti në Shqipëri, për të garuar me njëra-tjetrën.
Tani është detajuar gjithçka për krijimin e kësaj lige dhe nesër në orën 19:00 në Tiranë do të nënshkruhet marrëveshja nga presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit Avni Ponari dhe ai i Federatës Kosovare të Basketbollit, Arben Fetahu.
Në prani të tyre do të jenë edhe Ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sportit në Shqipëri, Besa Shahini e Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë, Vlora Dumoshi, ndërsa në ceremoni do të marrë pjesë edhe kryeministri Edi Rama, i cili do të zbulojë edhe logon e Ligës Unike.
Synimi i kësaj lige, që do të startojë brenda vjeshtës, është që të zgjojë interesin e këtij sporti, duke qenë se është një format mjaft interesant, që parashikon ndeshje si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, por mbi të gjitha edhe një rivalitet më të madh.