Nuredini: Imperativ është investimi në energjinë e gjelbër dhe të qëndrueshme

Për ta shpjeguar rëndësinë e investimit në energjinë e qëndrueshme dhe të gjelbër, ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor i Maqedonisë së Veriut, Naser Nuredini gjatë pjesëmarrjes së tij në Forumin Energjetik për Evropën Juglindore në Selanik, bëri krahasim midis pandemisë dhe ndryshimeve klimatike duke thënë se pasi të gjendet vaksina kriza me Kovid-19 do të tejkalohet, por ndryshimet klimatike janë diçka për të cilën nuk ka kthim mbrapa, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Marketing

“Ideja se duhet më shumë të investojmë në energjinë e gjelbër dhe të qëndrueshme është imperativ pasi që sa shkojmë përpara aq më të vogla janë mundësitë për t’u kthyer mbrapa për ndryshimet klimatike, prandaj sektori energjetik është shumë i rëndësishëm”, theksoi Nuredini duke folur për atë që e kemi mësuar nga pandemia e Kovid-19.

Ministri Nuredini, së bashku me kolegët e tij nga Greqia dhe Rumania, Kostis Haxidakis dhe Nikollae Havrilet mori pjesë në panel diskutimin me titull “Evropa Juglindore: Bashkëpunimi energjetik pas kufijve. Harta energjetike e Evropës Juglindore dhe e ardhmja e Istmed”.

Nuredini tha se në këtë moment vendi ynë e ka vetëm një burim për furnizim me gaz, por po punon në zgjerimin e rrjetit, duke shtuar se “gazi është burim kryesor energjetik për të shkuar përpara drejt një energjie më të pastër”. Ai e theksoi rëndësinë e interkonektuesit me Greqinë, duke sqaruar se kanë përfunduar 90 për qind e jugut të vendit dhe 75 për qind në pjesën perëndimore.

“Ne jemi vend i vogël, e dimë këtë, jemi të vetëdijshëm për këtë dhe interkonektuesi me Greqinë është shumë i rëndësishëm për ne si vend. Në të njëjtën kohë planifikojmë të lidhemi shpejt edhe me Shqipërinë ndërsa presim të njëjtën ta bëjmë edhe me Kosovën dhe gjithsesi edhe me Serbinë me çka do të krijojmë vëllim më të madh për furnizimin me gaz për vendin tonë. Kjo gjithashtu do të krijojë edhe siguri dhe pavarësi për ne, duke e pasur parasysh atë se tani e kemi një burim të furnizimit”, sqaroi ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Duke folur për marrëdhëniet energjetike me Greqinë, Nuredini tha se janë të shkëlqyera dhe shfaqi shpresë për zhvillimin e tyre të mëtejmë si dhe shpresë për gjetjen e zgjidhjes së kontestit me “Helenik petroleum”.

“Ne jemi Qeveri e re, ishim qeveri për tre vite e gjysmë, sërish jemi qeveri e re, ne besojmë se kemi bërë hapa përpara që të kemi marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët tanë. Ky është koalicion i cili vazhdimisht kërkon zgjidhje për çështjet të cilat i kemi, mendoj se i kemi zgjidhur mjaft çështje, ndërsa një që është hapur është me “Helenik petroleum”, tha Nuredini dhe shfaqi shpresë se edhe për këtë çështje do të gjendet zgjidhje.

Në fillim të fjalimit ministri tha se kjo është pjesëmarrja e dytë e tij në forumin energjetik ndërsa nga pjesëmarrja e vitit të kaluar, theksoi se për 12 muaj shumë gjëra kanë ndryshuar, përveç pandemisë, e përmendi edhe anëtarësimin në NATO, dritën e gjelbër për negociata me BE-në si edhe Qeverinë e re me Maqedoninë e Veriut.