Bënin kërdinë duke vjedhur në fshatrat e Himarës, pranga lushnjarit, në kërkim 3 bashkëpunëtorët

Zbardhen një sërë vjedhjesh të ndodhura në disa fshatra të Himarës, ku një person ka rënë në pranga dhe janë shpallur në kërkim 3 të tjerë.

Marketing

Në kuadër të operacionit të koduar “Qeparoi” pas hekurave përfundoi shtetasi me inicialet N. P., 42 vjeç, banues në Lushnjë.

Po ashtu janë shpallur në kërkim shtetasit me inicialet A. S., 46 vjeç dhe A.(H.) N., 30 vjeç, të dy banues në Tiranë, si dhe K. R., 36 vjeçe, banuese në Qeparo, Himarë. Shtetasi N. P., në bashkëpunim me 3 shtetasit e tjerë të shpallur në kërkim, dyshohet se janë autorë të disa vjedhjeve, të cilat i kanë kryer në vende të ndryshme si banesa dhe ambiente të hapura, konkretisht:

Më datë 31.07.2020, në fshatin Shën Vasil, dyshohet se këta shtetas kanë vjedhur me thyerje banesën e braktisur të shtetasit L. Q., vend në të cilin është gjetur një armë zjarri kallashnikov, e cila dyshohet të jetë e autorëve të mësipërm, pasi këta shtetas e përdornin këtë banesë si vendstrehim gjatë kryerjes së vjedhjeve. Më datë 07.09.2020, në Himarë, kanë vjedhur 2 motomjete në pronësi të shtetasve N. P. dhe T. P. Në të njëjtën ditë dyshohet se kanë vjedhur sendet personale të shtetasit maqedonas Z. T., në hotelin ku ai ishte akomoduar për pushime.

Gjithashtu, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se kanë kryer edhe 10 vjedhje të tjera, kryesisht sende personale të personave të ndryshëm në Dhërmi të Himarës, për të cilat po punohet për dokumentimin e plotë të tyre. Në përfundim të veprimeve, Policia ka sekuestruar disa nga sendet e vjedhura, si dhe sende që dyshohet se janë përdorur nga autorët për të kryer vjedhjet. Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve në fushën e vjedhjes, si dhe për kapjen e tre personave të shpallur në kërkim.