Frank Lampard i është kundërpërgjigjur komenteve të Jurgen Klopp që tha se “nuk mund të sillemi si Chelsea”, pasi theksoi faktin se Liverpool ka shpenzuar shumë gjatë viteve të fundit për Virgil van Dijk, Alisson, Fabinho dhe Naby Keita.
Liverpool fitoi Premierligën vitin e kaluar duke përfunduar 33 pikë mbi Chelsean e vendit të katërt, të cilët ishin të lumtur për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve në një sezon që ishin të goditur nga ndalimi i transferimeve.
Pas dy merkatove pa shpenzuar asnjë cent, Blutë kanë shpenzuar rreth 200 milionë funte këtë dritare pas përfundimit të marrëveshjeve për Kai Havertz nga Bayer Leverkusen, Timo Werner nga RB Leipzig dhe Ben Chilwell nga Leicester City, ndërsa ata vazhdojnë të shënjestrojnë portierin e Rennes Edouard Mendy.
“Unë isha më pak i bezdisur me të”, tha Lampard në Zoom para ndeshje hapëse për skuadrën e tij në Premierligë kundër Brighton të hënën [sot]. “Unë e pashë paksa zbavitës sepse mendoj se kur flet për pronarët e klubeve, nuk mendoj se ka rëndësi se nga çfarë linje biznesi vijnë”.
“Ne po flasim për disa pronarë shumë të pasur të klubeve në Premierligë. Me historinë e Liverpoolit, unë e përmenda atë shumë vitin e kaluar. Është një histori fantastike se si klubi për katër vite e gjysmë apo pesë arriti në këtë nivel me Jurgen Klopp”.
“Realiteti është – përveç Leicester, i cili ishte një histori e pabesueshme – shumica e klubeve që fitojnë ligën në ditët moderne kanë bërë transferime të shumta dhe kanë shpenzuar goxha para. Aty janë edhe lojtarët e Liverpool – Van Dijk, Alisson, Fabinho, Keita, [Sadio] Mane, [Mohamed] Salah”, deklaroi trajneri i Chelseat.