Greqi, stuhia Ianos shkakton përmbytje në shumë qyteteAlsat19.09.2020 09:17
Prej ditës së djeshme rajone të shumta në Greqinë Perëndimore janë në alarm për shkak të një stuhie të rrallë mesdhetare. Erërat e forta me reshje shiu kanë shkaktuar përmbytje në shumë qytete. Zonat më të prekura nga cikloni janë ishujt në jug të Jonit, në Greqinë perëndimore, Greqinë kontinentale dhe Thesali.
Në të gjitha zonat të cilat ka prekur cikloni Shërbimi Zjarrfikës ka marrë mbi 2450 thirrje urgjente për ndihmë, ndërsa ka shpëtuar rreth 600 persona që rrezikoheshin nga përmbytjet.
Stuhia, e quajtur Ianos, shkaktoi ndërprerje të energjisë elektrike në ishujt e detit Jon të Kefalonia, Zakynthos.
“Ne jemi duke u përgatitur të përballemi me një fenomen të rrallë ekstrem të motit”, tha pak ditë më parën zëvendës ministri i Mbrojtjes, duke shtuar se qytetarët duhet të kufizonin lëvizjet në fundjavë.
Sipas parashikimeve, kushtet klimatike pritet të përkeqësohen dhe deri të dielën moti i keq do të shtrihet nga brigjet perëndimore në ishullin e Kretës. Autoritetet gjithashtu raportojnë për rrezikun e përmbytjes për të paktën 24 orë.
Sipas tyre intensiteti dhe vijimi i ciklonit nuk mund të parashikohen me saktësi. Këto ciklone u shfaqën për herë të parë në Greqi në 1995 dhe janë bërë më të shpeshta vitet e fundit. Një stuhi e ngjashme goditi Greqinë në 2018.